Forcat ajrore franceze publikonin sot pamje të Parisit nga kabina e avionëve akrobatikë që stërviteshin për paradën ajrore të festës kombëtare Dita e Bastijës më 14 korrik.
Duke kaluar mbi bulevardin kryesor Champs Elysées në Paris avionët ndryshonin pozicionet e fluturimit dhe jepnin pamje me efekte impresionuese nga kryeqyteti i parë nga lart .
Parada ajrore e festës kombëtare ka qenë një traditë e shfaqjes së gatishmërisë ajrore të Francës, thonë zyrtarët e mbrojtjes.
Në edicionin e këtij viti një reshtim impresionues prej 66 avionësh e 28 helikopterësh që do të kalojnë në qiell. Mes tyre do të ketë avionë gjuajtës, transportues, zbulues e grupe akrobatike.
Për të celebruar partneritetin 25 vjeçar mes forcave ajrore të dy vendeve, India do të jetë sivjet një e ftuar nderi në paradën e Ditës së Bastijës.
Tre gjuajtës indianë të prodhimit francez Rafale, do të kalojnë me formacionet mbi Champs-Élysées.
Prej disa vitesh tashmë India është klienti kryesor i gjuajtësve francezë Dassault Rafale në një biznes që ka afruar shumë kompanitë kryesore të dy vendeve.
Në paradë do të shfaqen për herë të parë helikopterët Airbus H160 Gépard që po zëvendësojnë modelet e vjetra të ushtrisë franceze si Gazelle, Fennec, Dauphin/Panther, njoftojnë zyrtarët.
Top Channel