Projektimet për një aeroplan të ri me energji hidrogjeni mund të fillojnë një epokë të re të fluturimit hipersonik që do të shkurtojë kohën e udhëtimit rreth globit për disa orë.
Aeroplani më i fundit që arriti një sukses të tillë ishte Concorde, projektim supersonik i inxhinierisë anglo-franceze, raporton Euronews, transmeton Telegrafi.
Në kulmin e tij, aeroplani kaloi Atlantikun në një kohë rekord për rreth 3.5 orë, duke fluturuar me një shpejtësi prej mbi 2,100 kilometrave në orë.
Por, një start-up zviceran dëshiron të zvogëlojë kohën aktuale të udhëtimit prej Parisit në New York nga 8 orë në vetëm një orë e gjysmë – me aeroplanin e tij hipersonik me pasagjerë që fuqizohet me energji hidrogjeni.
Derisa kompanitë e tjera po angazhohen sërish me fluturimin supersonik, Destinus synon të ndërtojë aeroplanin e parë komercial me energji hidrogjeni që mund të udhëtojë me pesë herë shpejtësinë e zërit dhe në lartësi mbi 33 kilometra.
Kompania ka testuar prototipin e aeroplanit të saj për dy vjetët e fundit, duke njoftuar fluturime të suksesshme testuese të prototipit të saj të dytë – Eiger – në fund të vitit 2022.
“Prototipet duken ndryshe nga produkti përfundimtar, sepse produkti përfundimtar ka teknologji shumë të avancuar të shtytjes”, tha Bart Van Hove, kreu i studimeve të avancuara të Destinus, gjatë një panairi në Paris.
“Ka lloje të ndryshme motorësh, ‘turbo-jet’ dhe ‘ram-jet’, të gjithë me hidrogjen dhe të gjithë të ftohur me hidrogjen. Kështu që kjo shkon me një konfigurim të veçantë automjeti si forma, siç e shihni në vizionin tonë, të një aeroplani që kap një sasi të madhe të ajrit dhe ka një kanal qendror dhe që ndahet në kanale të ndryshme motorike”.
“Ky nuk është rasti me prototipin. Është më shumë një konfigurim klasik sepse ne shkojmë hap pas hapi”.
Investimet e qeverisë spanjolle
Në prill, kompania njoftoi pjesëmarrjen e saj në një program të drejtuar nga Ministria e Shkencës e Spanjës, pjesë e planeve të qeverisë spanjolle për të zhvilluar fluturime supersonike me hidrogjen.
Agjencia që mbikëqyr programin e ministrisë, “Centro para el Desarrollo Tecnologico e Industrial”, zgjodhi projektin si një nismë strategjike nën Planin e saj të Teknologjisë të Aeronautikës (PTA).
Me një investim të përgjithshëm aktual prej 12 milionë euro, projekti përfshin kompani dhe qendra teknologjike si dhe universitete spanjolle.
“Ne jemi të kënaqur që na janë dhënë këto grante, veçanërisht sepse ato janë një shenjë e qartë se Destinus është në linjë me vijat strategjike të Spanjës dhe Evropës për të avancuar fluturimin e hidrogjenit”, tha Davide Bonetti, në kompaninë Destinus aso kohe.
“Për kompanitë e teknologjisë së thellë si ne, qasja në këto fonde të rimëkëmbjes së BE-së është thelbësore për të kryer kërkime të avancuara dhe për të përshpejtuar inovacionin e nevojshëm për të qenë konkurrues në shkallë globale. Me këto grante, zgjidhjet e bazuara në hidrogjen për lëvizshmërinë aeronautike do të jenë një hap më afër të bëhet realitet”.
Fuqia me hidrogjen është subjekt i shumë kërkimeve dhe zhvillimit, për shkak të kredencialit për energji të gjelbër, nënproduktet kryesore të djegies së hidrogjenit janë nxehtësia dhe uji.
“Ne po përpiqemi të bëjmë gjënë përfundimtare, që është të transportojmë njerëzit në mënyrë të sigurt me hidrogjen, pa emetim, në mënyrë hipersonike. Kjo është në të gjithë botën në katër orë. Në mënyrë supersonike, kjo është thjesht e pamundur”, tha Van Hove.
Megjithatë, sasia e nxehtësisë së gjeneruar paraqet një sfidë të projektimit.
Studiuesit në Universitetin RMIT në Melburn së fundmi zhvilluan katalizatorë të printuar 3D, të cilët thonë se mund të fuqizojnë fluturimin hipersonik dhe të veprojnë si një agjent ftohës për të luftuar nxehtësinë ekstreme të krijuar kur aeroplanët fluturojnë pesë herë më shumë se shpejtësia e zërit, që është rreth 6,100 kilometra në orë.
Me këto shpejtësi, linjat ajrore komerciale të ardhshme do të jenë në gjendje të fluturojnë midis Parisit dhe New Yorkut në rreth 90 minuta.
Nga Frankfurti në Sidnei për 4 orë e 15 minuta
Aeroplani gjithashtu hap mundësinë për të shkurtuar udhëtimet nëpër botë.
Fluturimi nëpër botë nga Evropa në një destinacion të tillë si Australia kërkon aktualisht rreth 20 orë me një aeroplan të rregullt pasagjerësh.
Destinus pretendon se teknologjia e tij do të bëjë që një fluturim nga Frankfurti në Sidnei të zgjasë vetëm 4 orë 15 minuta në krahasim me 20 orë, ndërsa një fluturim nga Frankfurti në Shanghai do të zgjaste 2 orë 45 minuta, tetë orë më pak se udhëtimi aktualisht.
Destinus bashkëpunoi me prodhuesin spanjoll të motorëve ITP Aero në qershor të vitit 2022 për të zhvilluar një strukturë testimi të motorit me hidrogjen. /Telegrafi/