AKTUALE

Hovenier: Kosova t’i përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

Në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.

Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

Ambasadori theksoi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”, raportoi REL.

Në këtë pritje, fjala i është dhënë edhe presidentes Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kosova do të vazhdojë t’i ketë sytë nga SHBA-ja.

Osmani ka shtuar se për Kosovën, SHBA-ja nuk është vetëm aleat, por lider në përpjekjet globale për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë për të gjithë.

“Në çdo cep të Kosovës, ne i bashkohemi amerikanëve anembanë botës, jo vetëm për të festuar këtë ditë të rëndësishme, por edhe për të shprehur vlerësimin për partneritetin tonë të gjatë dhe për kontributin që SHBA-ja ka dhënë për lirinë tonë, pavarësinë dhe për procesin e shtetbërjes. Ne do të vazhdojmë t’i kemi sytë nga SHBA-ja. Unë gjithmonë them se ne jemi në fakt një zgjatim i vlerave amerikane. Për ne SHBA-ja nuk është thjeshtë një aleat, por një udhërrëfyes dhe një lider në përpjekjet tona globale për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë. Themeli i Republikës sonë qëndron si dëshmi e përkushtimit tuaj të pakushtëzuar për ruajtjen e paqes së shtetit tonë sovran”, ka thënë ajo.

Related posts

Ahmeti për Siljanovskën: Të mos prek në plagë të vjetra nuk jetohet në hasmëri shekullore

Gjyla Halili

Besimi në Konferencën e ASHAM: BE dhe SHBA janë partnerët tanë të rëndësishëm në zhvillimin e vendit

admin

Xhaferi: RMV-ja atraktive për investime!

Gjyla Halili

Leave a Comment