BOTA

17-vjeçari i vrarë në Francë/ Gjyshja e viktimës: Të ndalen trazirat, Naheli po përdoret si justifikim

Gjyshja e Nahel M, 17-vjeçarit që u vra nga një polic gjatë një ndalesë trafiku më 27 qershor, ka bërë thirrje për përfundimin e trazirave në mbarë Francën që u nxitën nga vrasja e nipit të saj.

“Nuk duam që ata protestuesit të shkatërrojnë dyqane, autobusë dhe shkolla. Ata po e përdorin Nahelin si justifikim. Ne duam që gjërat të qetësohen.”, tha Nadia në një intervistë të dhënë për BFM TV.

Ajo tha se beson se zyrtari policor përgjegjës për vrasjen e nipit të saj do të ndëshkohet, ndërsa tha se “zemra po më dhemb” kur u pyet për paratë që i janë dhuruar zyrtarit policor pas vrasjes së Nahelit.

“Jam e lodhur. Ka marrë fund, fëmija im nuk ka më jetë. Mos i shkatërroni shkollat, mos i shkatërroni autobusët. Ka shumë nëna që i përdorin ata autobusë”, tha ajo.

Rreth 2.800 njerëz janë arrestuar gjithsej që nga vdekja e Nahelit më 27 qershor. Dislokimi masiv i policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar të lagjeve të shënjestruara dhe pronarë dyqanesh, dyqanet e të cilëve janë plaçkitur. Por, ky veprim ka zemëruar më tej ata që e shohin sjelljen e policisë si shkakun e krizës aktuale në Francë.

Qindra policë dhe zjarrfikës francezë kanë mbetur të plagosur nga trazirat që shpërthyen pas vrasjes së Nahelit, megjithëse autoritetet nuk kanë publikuar shifrat për të plagosurit në mesin e protestuesve. Në Guajanën franceze, një 54-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një plumb qorr.

Në natën e pestë të trazirave të shkaktuara nga vrasja e Nahelit, policia njoftoi se janë arrestuar 719 persona – në krahasim me 1311 arrestime një natë më parë – në mbarë Francën.

Protestuesit hodhën breshëri fishekzjarrësh dhe ndezën zjarre si barrikada, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

Një makinë e djegur goditi shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, l’Hay-les-Roses, gjatë natës. Disa shkolla, stacione policie dhe dyqane janë djegur dhe vandalizuar gjatë ditëve të fundit, por një sulm i tillë personal në shtëpinë e një kryetari komune është i pazakontë.

Këtë javë, nëna e Nahelit i tha televizionit France 5 se ishte e zemëruar me oficerin që qëlloi djalin e saj në një ndalesë trafiku, por jo me policinë në përgjithësi.

“Ai pa një fëmijë të vogël me pamje arabe. Ai donte t’ia merrte jetën”, tha ajo. Familja e Nahelit ka prejardhje nga Algjeria.

Një video, ku shihet momenti i vrasjes së tij, shfaq dy oficerë në dritaren e makinës, njëri me armën drejtuar shoferit. Kur adoleshenti lëvizi përpara, oficeri qëlloi një herë përmes xhamit të përparmë. Oficerit të akuzuar për vrasjen e Nahelit iu ngrit një akuzë preliminare për vrasje të qëllimshme.


Top Channel

Related posts

“Një e shtunë e dhimbshme”, raketat ruse godasin qytetin Ukrainas!  7 të vdekur dhe 90 të plagosur

admin

Avionët turq shuajnë zjarrin në portin e Iskenderunit të goditur nga tërmeti

admin

Departamenti i Drejtësisë përballë një prove historike, me akuzat ndaj ish-presidentit Trump për zgjedhjet

admin

Leave a Comment