Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike tetë pika, të cilat, siç ka thënë ai, çojnë në shtensionim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kurti ka theksuar se këto pika ia ka propozuar kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, javën e kaluar kur ky i fundit, sipas tij, propozonte një ‘tryezë për hapa shtensionimi’ të situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Pika e parë, sipas kryeministrit Kurti, nënkupton faktin se Kosova është e gatshme ta bëjë “reduktimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe përreth tyre”, por kjo, sipas tij, bëhet vetëm nëse reduktohet dhuna në atë pjesë.
Pika tjetër përfshin qasje të plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorim i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut.
Pika tjetër përfshin zgjedhje të parakohshme përmes peticionit për tërheqje të kryetarëve aktualë, i cili duhet të përkrahet nga të paktën 20 për qind e elektoratit në atë pjesë dhe pika e fundit përfshin dorëzimin e autoritetit nga kryetarët aktualë te kryetarët e rinj, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Kurti ka thënë se nga Serbia pritet, po ashtu, që të bëjë tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale, të zotohet për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës gjatë protestave në veri.
Ndër tjerash kryeministri Kurti, ka thënë se Serbia duhet të reduktojë gatishmërinë e forcave të armatosura, si dhe të “mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”.
“Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Kurti.
Të enjten, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka rritur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.
Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë./rel