BOTA

Plagë në horizontin e “Qytetit të Dritës”/ Rrokaqielli i vetëm në Paris drejt 50-vjetorit me urrejtjen e parizienëve mbi “shpinë”

Ekziston një shaka e vjetër në Paris se maja e Kullës Montparnasse ka pamjen më të bukur të kryeqytetit francez. Jo për shkak se nga aty mund të shohësh pamjen mahnitëse të Kullës Eifel ose Bazilikës Sacre-Coeur të vendosur në majë të Montmartrit, por sepse është i vetmi vend nga ku nuk mund të shihni vetë rrokaqiellin.

Që kur kulla e qelqit 59-katëshe me ngjyrë çokollate u përurua në vitin 1973, ajo është sharë e përbaltur së tepërmi nga parizienët, të cilët e konsiderojnë si një plagë në horizontin e “Qytetit të Dritës”.

Montparnasseja është i vetmi rrokaqiell në Paris, me lartësi 210 metra, në një qytet të njohur kryesisht për uniformitetin e tij arkitekturor. Në fillim zemërimi ndaj ndërtesës së projektuar nga arkitektët Jean Saubot, Eugène Beaudouin, Urbain Cassan dhe Louis de Hoÿm de Marien, nuk ishte edhe aq befasues.

Historikisht, parisienët kanë pasur një kundërshtim pothuajse refleksiv ndaj ndryshimeve të mëdha në pamjen e qytetit të tyre. Kulla Eifel, e përfunduar në 1889, u përball me ofendimet dhe përbuzjet e francezëve të cilët i dhanë asaj epitete nga më të ndryshmit, mes tyre edhe “llambë tragjike rruge”  apo “skelet gjigant i shëmtuar”.

Por, Kulla Montparnasse nuk ishte e vetmja. Parizienët nuk e pritën mirë as ndërtimin e piramidave të famshme prej xhami të arkitektit IM Pei, të instaluara jashtë Muzeut të Luvrit në mesin e viteve 1980, pasi i konsideronin shumë radikale në stil. Megjithatë, strukturat tashmë ikonike përfunduan duke “rrëmbyer” zemrën e qytetit të dashurisë, shumë ndryshe nga Montparnasse, e cila mbetet ende e urryer nga një grup i konsiderueshëm njerëzish megjithëse festoi 50-vjetorin e inaugurimit më 18 qershor.

Një qytet në ndryshim

Për të kuptuar pse shumë parizianë e shohin Kullën Montparnasse si të pavend, duhet marrë parasysh pse qyteti duket ashtu siç duket sot.

Plani i qytetit të Parisit dhe stili i tij arkitektonik datojnë kryesisht në mesin e shekullit të 19-të. Në atë kohë, qyteti shihej si i mbipopulluar, i lagësht dhe i mbushur me sëmundje. Duke kërkuar ta kthente atë në një simbol të madhështisë franceze, Napoleoni III përdori Baron Georges-Eugene Haussmann, atëherë prefekti i Seines, për ta transformuar kryeqytetin në një qytet të gjallë dhe modern evropian.

Në foto: Baroni Georges-Eugene Haussman krijoi arkitekturën pariziane me të cilën e lidhëm qytetin sot

Haussmann rrafshoi shumë nga rrugët e ngushta mesjetare të Parisit dhe ndërtesat e rrënuara për t’i dhënë hapësirë rrugëve të gjera, shesheve publike, parqeve të gjelbëruara dhe një sistemi të ri kanalizimesh, të cilat të gjitha ndihmuan në rigjallërimin dhe pastrimin e qytetit.

Pjesa më e dukshme e trashëgimisë së Haussmann-it është stili arkitektonik që mban emrin e tij: ndërtesat e apartamenteve Haussmannian, strukturat gjashtëkatëshe me fasadë guri që janë të kudogjendura në të gjithë Parisin dhe i japin qytetit estetikën e tij të veçantë dhe uniforme.

Rreth një shekull më vonë, Parisi u përball me një tjetër krizë identiteti. Megjithëse kryeqyteti mbeti i paprekur, Lufta e Dytë Botërore kishte lënë pjesën më të madhe të Francës në gërmadha. Rizhvillimi nënkuptonte një mundësi për të modernizuar përsëri vendin, këtë herë duke shtuar autostrada mbarëkombëtare dhe rrokaqiej të rinj – siç po bëhej në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në rrënojat e fatkeqësisë së luftës, ata donin të ndërtonin diçka krejtësisht të re për një brez të ri”– tha për CNN Virginie Picon-Lefebvre, një profesore e arkitekturës në Ecole Nationale Superieure d’Architecture Paris-Belleville dhe eksperte në arkitekturën e kryeqytetit të pasluftës.

Në foto: Rue De La Gaite e Montparnasse e fotografuar në vitin 1930

Montparnasse, një lagje në jug të Parisit, ishte një nga kandidatët e parë për projekt-rinovimin urban në shkallë të gjerë gjatë bumit të tij ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore.

Zona tashmë kishte pësuar disa transformime. Në vitet 1920, ishte një pikë e nxehtë bohemiane për shkrimtarë dhe artistë si Salvador Dali dhe Ernest Hemingway. Por nga vitet 1950, ajo ishte bërë një pjesë e mjerueshme e qytetit, e shënuar nga rrugica të vogla, ndërtesa të dënuara dhe një stacion treni i mbipopulluar.

Megjithëse planet tashmë ishin hartuar për kullën, puna mori vrull pas themelimit të Republikës së Pestë të Francës dhe kthimit të Presidentit Charles de Gaulle në pushtet në 1958.

Qëllimi ishte të ndërtohej një lagje moderne, e cila do t’i shërbente një brezi të ri biznesmenësh, ndryshe jakat e bardha, e mbushur me zyra; ndërtesa të reja apartamentesh, një stacion treni i rinovuar, një autostradë për në aeroportin e ri që po ndërtohet në jug të Parisit — dhe kullën Montparnasse.

Fillimisht kishte entuziazëm mbi perspektivën e modernizimit të Parisit, veçanërisht midis arkitektëve, inxhinierëve dhe zhvilluesve, shpjegoi Picon-Lefebvre. U planifikuan më shumë ndërtesa të larta dhe transformime, siç ishte ndërtimi i një distrikti biznesi në perëndim të Parisit të quajtur La Defense.

Mirëpo, opinioni publik u kthye shpejt kundër kullës, me vendasit që kritikuan lartësinë e saj në një lagje me ndërtesa më të ulëta. Shumë banorë u ankuan se rrokaqielli i vetmuar – më i madhi në Evropë pas përfundimit të tij në 1973 – ishte i pavend në një qytet ku shumica e ndërtesave ishin vetëm gjashtë kate të larta.

Pavarësisht nga këto shqetësime, projekti vazhdoi përpara. Presidenti Georges Pompidou miratoi zhvillimin e Montparnasse në 1969, dhe një vit më vonë u hodh guri i parë i ndërtesës.

Në foto: Kulla e diskutueshme u përurua në vitin 1973

Është një tmerr,” tha një kalimtar në pamjet arkivore të paraqitura në një dokumentar të fundit në Kullën Montparnasse në televizionin francez. Një grua tjetër që qëndronte përballë kullës gati të përfunduar e quajti atë “të frikshme”. Megjithatë, kishte edhe nga ata banorë që menduan se kulla ishte moderne dhe një shenjë përparimi.

Ndërtesa ka tërhequr gjithashtu në të banorë të profilit të lartë, duke përfshirë presidentët francezë François Mitterrand, Jacques Chirac dhe Emmanuel Macron. Të tre ngritën zyrat e fushatës atje në një moment gjatë gjysmëshekullit të fundit. Picon-Lefebvre shpjegoi se ndërsa Kulla Montparnasse ishte e papëlqyeshme, ajo ende krenohej me zyra të pajisura mirë, pamje të bukura të Parisit dhe akses të lehtë në transportin publik.

“Ishte vërtet komode të punoja atje,” tha ajo.

E ardhmja e rrokaqiejve

Ndryshe nga Kulla Eifel, publiku nuk arriti kurrë – të paktën deri më tani – të ngrohej me Kullën Montparnasse. Në pjesën më të madhe për shkak të protestës publike, këshilli i qytetit të Parisit ndaloi ndërtimin e ndërtesave më të larta se 37 metra në 1977. Rrokaqiejt u dëbuan në “La Defense” ose në periferi të tjera deri në vitin 2010, kur administrata e pushtetit vendor në Paris, lehtësoi kërkesat për ndërtimin e kullave të larta në periferi të qytetit.

Megjithëse në periferi, ky vendim u konsiderua sërish një hap i madh, pasi flitej për ndërtesa në kufijtë administrative të Parisit. Ai ringjalli debatin publik. Kritikët vunë në dukje Kullën Montparnasse si një histori paralajmëruese, pasi shumë parizienë ende e konsiderojnë rrokaqiellin 50-vjeçar si “halë në sy”.

Në foto: Ndërtesa shkaktoi debate nëse qiellgërvishtësit i përshtaten horizontit të Parisit

Një kandidate konservator për zgjedhjet për kryebashkiak të Parisit në vitin 2014 madje pozoi duke shembur kullën gjatë fushatës, pasi e konsideronte atë një “katastrofë urbane”. Ajo humbi zgjedhjet.

Kandidatja fituese dhe njëherazi kryebashkiaku aktual, Anne Hidalgo, e quajti propozimin “të pakuptimtë” megjithëse e pranonte se ndërtesa “me siguri nuk është më e bukura” për kënaqësinë e syrit.

Por ka edhe nga ata që mendojnë se është koha për të rishqyrtuar nëse ndërtesat e larta i përkisnin Parisit. Arkitekti i njohur Jean Nouvel tha se ai besonte se ishte koha për të “ndaluar së menduari se Parisi është një qytet-muze”.

Parisi nuk ka mbaruar”- tha fituesi i çmimit Pritzker për gazetën franceze “Le Parisien” në 2008. “Nëse ndërtesat  e larta mund të pasurojnë zemrën e kryeqytetit, pse të privojmë veten prej tyre?”

Pas një procesi të gjatë tenderimi, administrata e Parisit miratoi në vitin 2015 krijimin e rrokaqiellit të dytë të Parisit, Kullën Triangle 180 metra në skajin e qarkut të 15-të jugperëndimor.

Megjithëse Hidalgo fillimisht mbështeti “Triangle Tower”, administrata e saj nxori sërish të jashtëligjshme rrokaqiejt e ardhshëm në kryeqytet. Kufiri i lartësisë prej 37 metrash në ndërtesa u rivendos në fillim të qershorit si pjesë e një plani të gjerë të paraqitur për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të reduktuar emetimet e karbonit në qytet.

“Triangle Tower” pritet të përfundojë në vitin 2026, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ajo do të tërheq të njëjtin zemërim si paraardhësi i saj 50-vjeçar./ Burimi CNN – Përgatiti në shqip, Borisa Lala


Top Channel

Related posts

​Rreth 700 të evakuuar pas zjarrit në Elba të Italisë

admin

Do të zgjaten lejet për ukrainasit e larguar nga lufta? Gjermania, pro vazhdimit të statusit të veçantë

admin

Seks dhe drogë/ Amsterdami përpjekje për të ndryshuar imazhin e vet

admin

Leave a Comment