Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vizitoi të hënën trupat në rajonin lindor të Donetskut të vendit.
Në një video të publikuar nga zyra e shtypit të presidentit, Zelensky shihet duke folur me oficerë ushtarakë dhe ushtarë nga njësitë e grupit operacional Khortytsia, duke përfshirë “trupat që u dalluan në beteja të ashpra në drejtimin Bakhmut”.
“Të gjithë në vend e kuptojnë që ju jeni me ne, të gjithë e dinë që jeni duke bërë punën më të vështirë tani. Të gjithë e dinë që drejtimi lindor është shumë i vështirë sot, është shumë nxehtë dhe e vështirë këtu. Kështu që, jam i sigurt se Do të jeni ju që do të jepni kontributin më të madh në fitoren tonë të ardhshme”- tha Zelensky, duke shtrënguar gjithashtu duart me ushtarët teksa shpërndante çmimet.
Udhëheqësi ukrainas u pa gjithashtu duke përshëndetur personelin ushtarak dhe punonjësit e stacionit të benzinës në Donetsk. Ai i falenderoi ata për punën që po bëjnë për të mbështetur Ukrainën.
“Zelensky u ndal në një pikë karburanti në rajonin e Donetsk dhe piu kafe me ushtrinë që ishte atje. Presidenti u uroi ushtarëve shëndet dhe fat të mirë në beteja”- thuhej në raportimin e zyrës së tij të lajmeve.
Top Channel