AKTUALE

Fjalimi i deputetit Nikollë Camaj në kuvendin e dytë të LDSH-së

Të nderuar miq,

Po ndaj me ju disa foto dhe disa sekuenca nga fjala ime në Kuvendin e dytë të LDSH-së, Partisë që e drejtova plot pesë vite dhe, si të konsoliduar, dhe me suksese të radhitura, në drejtim ia dorëzova gjeneratës së re së politikanëve shqiptarë, nga trevat etnike në Malin e Zi, duke vazhduar që të jam me ta, si njëri prej të barabartëve në Parti, por që kontributin, nga muaji tjetër, do të vazhdoj ta jap nga ulësja në Parlamentin e Malit të Zi.

Shfrytëzoj rastin që edhe përmes këtij postimi të falënderoj mysafirët dhe delegatët e Kuvendit, kurse kryesisë së re dhe kryetarit Ivan Ivanaj t’u uroj sukses në punë!

“Të nderuar mysafirë e delegatë,

Që në fillim dua t’ju përkujtoj se këtë Kuvend po e mbajmë në muajin e Besëlidhjes së Malësisë, një kuvendi që është mbajtur para plotë 53 vjetëve, konkretisht më 28 qershor 1970, dhe i cili u kishte vënë pikën vëllavrasjeve ndër malësorë, kurse i kishte vënë vulën jetës, pajtimit dhe prosperitetit, vlera këto, të cilat, gjatë të gjitha kohërave i ka kultivuar Lidhja demokratike.
Po ashtu, duhet veçuar se vetëm pak ditë na ndajnë nga përvjetori i 112 i Kuvendit të Greçës, amanetin e të cilit, përmes aktiviteteve të ndryshme, u munduam ta ruajmë dhe t’ua përcjellim gjeneratave e reja.

….

LDSH u kyç në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikë, në Malin e Zi, për të kontribuar, por edhe për të maksimalizuar kontributin e të tjerëve për themelimin e Komunës së Tuzit, gjë që edhe u arrit. Por, natyrisht ky ynë nuk ishte i vetmi objektiv.
Objektiv kryesor edhe tutje mbetet avancimi i të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, konform standardeve Evropiane dhe, në këtë drejtim ka mbetur shumë për t’u dëshiruar, dhe për t’u punuar, dhe natyrisht se kjo nuk mund të arrihet vetëm, por në bashkëpunim edhe me subjektet e tjera shqiptare, pastaj me subjektet e tjera të pakicave, por gjithsesi edhe me subjektet progresive malazeze.

Të nderuar miq, nuk është e tepërt nëse në këtë rast e përmendi se karrierën politike e kam filluar para Kuvendit të Malit të Zi, si sekretar i LDnëMZ, së bashku me liberalët e atëhershëm dhe socialdemokratët, në mitingun anti-luftë, në fillim të viteve 90, duke promovuar idenë e paqes, prosperitetit e zhvillimit, e jo luftën e agresionin, dhe sipas vullnetit të popullit karrierën do ta mbyll brenda Parlamentit, ku shpresoj se do të vazhdoj të kultivoj po të njëjtat vlera, në kushte të reja e me më shumë aleatë.

Të nderuar dashamirë,
LDSH mbetet si subjekt politik i dëshmuar në gatishmëri për sakrifica për të mirën e përbashkët, dhe këtë e kemi dëshmuar sa herë që jemi ulë në tryeza për të vënë, apo rivënë, bashkëpunimin me partitë e tjera shqiptare.
Kemi ditur edhe të rebelohemi kur e ka kërkuar nevoja dhe mbetemi i vetmi subjekt politik që asnjëherë nuk ka koketuar me pushtetet, e as që ka bërë kompromise të kalbura për interesa partiake apo personale, e këtë e dëshmon edhe bojkotimi i dy proceseve zgjedhore. Por, po ashtu i kemi vlerësuar të arritura e partnerëve tonë politik, edhe atëherë kur i kishim kundërshtarë, apo rivalë, dhe kemi arritura kompromise, për të mirën e Malësisë e të shqiptarëve në Malin e Z, dhe në rajon.
Prandaj, jemi të lumtur që te vlerat e përbashkëta jemi gjetur edhe me dy subjekte nacionale në Tuz, me të cilët formuam Forumin Shqiptar, që shumë shpejt u bë brend ndër shqiptarë, dhe për sukseset e veta u dëshmua superior ndër shqiptarët në Mal të Zi. Administrimi i Komunës së Tuzit dhe pjesëmarrja e suksesshme në qeverinë e Malit të Zi e përforcojnë këtë pohim. Ne, përvojat ndryshme nga e kaluara, sidomos ato të pakëndshmet, i kemi lënë dhe do t’i lëmë anët, sa herë ta kërkojë kauza kombëtare dhe çështja e popullatës lokale-shqiptare në Malin e Zi.

Largimi, njëherë e mirë nga politika që promovon korrupsionin e krimin e organizuar, por edhe largimi nga idetë e errëta klero-fashiste të viteve të 90-ta, e që kam bindej se kjo ndodhi në zgjedhjet e posa-mbajtura, ku subjektet e tilla u ndëshkuan nga zgjedhësit, japin shpresë se ky vend ka perspektivë, si shtet multi-etnik, i krijuar dhe i përkrahur me secilën votë të përfaqësuesve të pakicave kombëtare, për çka Mali i Zi mbetet shteti më unik në rajon.
Ne ishim aty, e me ta, kur opozita malazez kundërshtonte agresionin serb dhe luftën në Kroaci (1990), ishim aty e me ta, kur një pjesë e politikës malazeze u nda nga politika luftënxitëse serbe (1997), ishim aty e me ta, kur shteti i Malit të Zi u bë sovran (2006) dhe kur Mali i Zi hyri në NATO (2017).
Prandaj, LDSH edhe në të ardhmen mbetet e hapur për bashkëpunim me subjekte të tjera në Mal të Zi, që janë në vazhdën e kësaj politike, e për të cilat procesi i integrimeve euro atlantike dhe fqinjësia e mirë nuk kanë alternativë.
Për ne në LDSH, si edhe për krejt shqiptarët, dielli lind në perëndim dhe të gjithë ata që i kanë sytë nga perëndimi, në LDSH do të kenë një partner, një mik dhe një bashkudhëtar të devotshëm e të sigurt, mbi të cilin mund të mbështeten çdo herë.
Mbi të gjitha, LDSH edhe tutje mbetet e hapur për bashkëpunim me subjektet shqiptare, për të dalë me një platformë unike, kur është në pyetje çështja shqiptare në Malin e Zi, e cila edhe tutje mbetet e pazgjidhur, sidomos kur janë në pyetje përfaqësimi, decentralizimi, shkollimi, pronat…

Related posts

KSHZ: Zyrtarisht presidente e shtetit shpallet Gordana Siljanovska Davkova

Gjyla Halili

Seancë e Komisionit për zgjedhje dhe emërime për zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së

Gjyla Halili

172 gjoba në Shkup, 38 për tejkalim të shpejtësisë

admin

Leave a Comment