Kryeministri britanik Rishi Sunak duke folur këtë të diel për BBC, deklaroi se Londra po e monitoron nga afër situatën e orëve të fundit në Rusi. Sipas tij kemi të bëjmë me një situatë në zhvillim e sipër, por Britania, mbetet e informuar për situatën dhe po koordinohet me aleatët në lidhje me ndikimet potencialisht destabilizuese të luftës së paligjshme të Rusise në Ukrainë.
Dilema më e madhe për politikën e jashtme britanike është ajo se: çfarë vjen pas Putinit?
Çfarë mund të vijë nëse ai eventualisht largohet nga Kremlini – ç’ka është shumë herët të thuhet për një vend me armë bërthamore që po shkon në anarki.
Korrespondenti i Top-Channel, Arben Manaj, raporton se edhe pse Britania historikisht mbetet një vend me një avantazh të dukshëm të të dhënave inteligjente në Rusi, dhe jo vetëm, duket se Londra është e kujdesshme në prononcimet e saj për atë çfarë po ndodh dhe mund të ndodh në ditët dhe javët e ardhshme në Rusinë e Putinit.
Edhe pse Putin nuk është sfiduar në këtë mënyrë në autoritetin e tij nga baza ushtarake e pushtetit të tij, atë duket se e ndjek nga pas historia që kur në 1917 ushtria ruse u hodh në grevë dhe braktisi Luftën e Parë Botërore.
Faktikisht ka qenë Putin që ka lejuar përsëritjen e luftrave të brendshme mes kundërshtarëve në radhët e ushtrisë që datojnë 400 vjet që nga fillesta e tyre. Në rastin e Prigozhin, protezheut të tij që krijojë ushtrinë e tij mercenare brenda ushtrisë zyrtare ruse, dëshmon sesa e ka grryer Putin autoritetin e vetë shtetit rus.
Por për britanikët e rëndësishme është mosnxitimi në këtë lojë me shumë të panjohura në Rusi, pasi Putin edhe në rastin e fillimit të luftës në Ukrainë tregoi se Perëndimi nuk i parashikoi dot lëvizjet e tij. Në shumë qarqe politike dhe analitike britanike, mbizotëron mendimi se fati i arsenalit të madh bërthamor rus, është i rrezikuar, dhe një luftë e brendshme për pushtet për kontrollin e Kremlinit e vendos botën përballë dhe në prag të një katastrofe bërthmore, pasi kurrë historia njerëzore nuk ka përjëtuar një luftë civile brenda një shteti me kapacitetet bërthamore si Rusia.
Edhe pse Putin meriton llogaridhenie ndëshkuese, kaosi i ditëve të fundit drejt një anarkie bërthamore, mbart në vetëvete rrezikun e kohëve akoma më të vështira për të gjithë. Në kushtet kur pasuesit janë të paparashikueshëm dhe të pa vetëkontrollueshëm, shprehja e vjetër me origjnë nga Lindja e Mesme se “armiku i armikut tim është miku im”, duket se nuk vlen në rastin e Rusisë, sesa “më mirë djallin që njohim.”
Top Channel