BOTA

Pse ujërat përreth Titanikut janë ende të rrezikshme?

Zhdukja e nëndetëses gjatë një vizite përreth rrënojave të fundosura të Titanikut ka ngritur pikëpyetje në lidhje me rreziqet e përfshira në një ekspeditë të tillë në thellësi.

Në vjeshtën e vitit 1911, në një moment një pjesë e madhe akulli u shkëput nga një masiv akullnaje në jugperëndim të Grenlandës. Gjatë muajve në vijim, ajo u zhvendos ngadalë në jug, duke u shkrirë gradualisht, ndërsa u bart nga rrymat e oqeanit dhe era.

Më pas, në natën e ftohtë dhe pa hënë të 14 prillit 1912, një ajsberg 125 metra i gjatë – krejt çka mbeti nga rreth 500 metra akull që ishte nga një fjord (ngushticë në formë të shkronjës U) i Grenlandës vitin e kaluar – u përplas me anijen e pasagjerëve “Titanic” teksa po bënte udhëtimin e saj të parë, nga Southemptoni në Mbretërinë e Bashkuar për në Nju Jork.

Në më pak se tri orë, anija u mbyt, duke marrë me vete drejt vdekjes më shumë se 1500 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Anija e fundosur tani shtrihet pothuajse 3.8 kilometra poshtë valëve në një vendndodhje rreth 640 kilometra në juglindje të bregut Njufondlandit.

Ajsbergët përbëjnë ende rrezik për transportin ujor – në vitin 2019 së paku 1.515 ajsbergë u zhvendosën aq larg në jug dhe u futën në rrugët transatlantike të transportit ujor, shkruan BBC Future.

Por, vendi i fundit i pushimit të Titanikut bart rreziqet e veta, që do të thotë se të vizitosh fundosjen më të famshme në botë është një sfidë më vete.

Turizmi ekstrem është bërë një tendencë në rritje në mesin e kërkuesve emocionalë që kërkojnë adrenalinë, duke shtyrë kufijtë e udhëtimeve konvencionale dhe ndonjëherë të sigurta.

OceanGate Expeditions, për shembull, është një nga disa kompanitë që plotësojnë kërkesat e njerëzve që duan të eksplorojnë detet dhe, madje, edhe thellësitë në dukje të paarritshme të oqeaneve të botës.

“Ajo që kam parë me super të pasurit – paraja nuk është objekt kur bëhet fjalë për përvojat. Ata duan diçka që nuk do ta harrojnë kurrë”, tha Nick D’Annunzio, pronar i TARA, Inc., një kompani për marrëdhënie me publikun e specializuar për ngjarje të veçanta, sipas CNN-it.

OceanGate nisi ekspedita të suksesshme drejt mbetjeve të Titanikut më 2021 dhe 2022.

Të hënën, Roja Bregdetare e SHBA-së nisi një operacion kërkim – shpëtimi për nëndetësen që i përkiste OceanGate, e cila humbi kontaktin gjatë një turneu privat të Titanikut.

Kompania tha se po “eksploronte dhe mobilizonte të gjitha opsionet për ta kthyer ekuipazhin në mënyrë të sigurt”.

OceanGate Expeditions, me qendër në Everett, Uashington, u themelua në vitin 2009 nga inxhinieri i hapësirës ajrore, Stockton Rush, i cili gjithashtu gjendet në nëndetësen e zhdukur.

Çfarë kishin thënë ata që shkuan te rrënojat?

Ekspeditat e mëparshme në vendin e mbytjes së Titanikut e kanë përshkruar zbritjen për më shumë se dy orë përmes errësirës së plotë përpara se fundi i oqeanit të shfaqet papritur nën dritat e nëndetëses.

Me një vijë të kufizuar dukshmërie prej disa metrash, e cila ndriçohet nga dritat në bordin e një nëndetëseje me madhësi të një autobusi, lundrimi në këtë thellësi është një detyrë sfiduese, duke e bërë të lehtë çorientimin në shtratin e oqeanit.

Hartat e detajuara të vendit të mbytjes së Titanikut, të përpiluara gjatë dekadave të skanimeve me rezolucion të lartë, mund të ofrojnë pika të rrugës kur objektet mund të shihen me sy. Hidrolokatorët (lokalizues të shtrirjes dhe zërit nën ujë), gjithashtu, i mundësojnë ekuipazhit të zbulojë veçori dhe objekte jashtë basenit të vogël të dritës të ndriçuar nga nëndetësja.

Pilotët e nëndetëseve gjithashtu mbështeten në një teknikë të njohur si navigacion inercial, duke përdorur një sistem përshpejtuesish dhe xhiroskopësh për të gjurmuar pozicionin dhe orientimin e tyre në lidhje me një pikë fillestare dhe shpejtësi të njohur.

Nëndetësja Titan e OceanGate mbart një sistem lundrimi inercial më të fundit që kombinohet me një sensor akustik të njohur si ‘Doppler Velocity Log’ për të vlerësuar thellësinë dhe shpejtësinë e automjetit në lidhje me shtratin e oqeanit.

Megjithëkëtë, pasagjerët në udhëtimet e mëparshme të Titanikut me OceanGate, kanë rrëfyer se sa e vështirë është të gjesh rrugën pasi të arrish në fund të oqeanit.

Mike Reiss, një shkrimtar i komedisë televizive që ka punuar në “The Simpsons” dhe mori pjesë në një udhëtim me OceanGate drejt mbetjeve të Titanikut vitin e kaluar, i tha BBC-së:

“Sapo të keni rënë në fund, vërtet nuk e dini se ku jeni. Na u desh të përplaseshim verbërisht në fund të oqeanit duke e ditur se Titaniku ishte atje diku, por ishte aq errësirë sa gjëja më e madhe nën oqean ishte vetëm 500 metra larg dhe kaluam 90 minuta duke e kërkuar”.

Për kë është “i arritshëm” Titaniku?

Duhen tetë orë dhe 250.000 dollarë për të gjetur mbetjet e Titanikut të fundosur rreth 380 milje larg brigjeve të Njufondlandit.

Të dielën, pesë persona hipën në nëndetësen Titan për të nisur atë udhëtim. Anija humbi kontaktin vetëm një orë e 45 minuta pasi u zhyt në fund të Oqeanit Atlantik.

Kërkimet janë duke vazhduar.

Me gjithë rreziqet e udhëtimit nën sipërfaqen e ujit, kjo ishte një mundësi e parezistueshme – shumë pak njerëz kanë mundësinë të shohin Titanikun me sytë e tyre.

Më shumë se një shekull pas fundosjes së anijes, interesimi për Titanikun mbetet i madh. Edhe pse shumica e kënaqin kureshtjen e tyre duke vizituar muzetë, ekspozitat dhe koleksionet e përhershme në mbarë botën kushtuar fundosjes së anijes, kushdo që mund të paguajë tarifën e hyrjes mund ta shohë vetë.

Pavarësisht shqetësimeve etike dhe rrezikut të dëmtimit të mëtejshëm të rrënojave, zhytjet drejt Titanikut të fundosur kanë vazhduar për më shumë se 20 vjet, shkruan National Geographic.

Vetëm në vitin 1985 një ekspeditë e udhëhequr nga Robert Ballard, National Geographic Explorer-at-Large dhe oqeanografi francez Jean-Louis Michel zbuloi vendndodhjen e asaj çka kishte mbetur nga Titaniku pasi u fundos.

Menjëherë pas kësaj, Ballardi dëshmoi përpara Kongresit të SHBA-së, duke i kërkuar atij që ta shpallte anijen e fundosur një monument detar.

Logoja për një ekspeditë përreth Titanikut OceanGate Expeditions më 2019 .

Logoja për një ekspeditë përreth Titanikut OceanGate Expeditions më 2019

Në korrik të vitit 1986, Ballard vendosi një pllakë në anije duke kërkuar që vendi të mbetet i paprekur në kujtim të më shumë se 1.500 njerëzve që vdiqën atje.

Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në vend të kësaj, u ndez një garë rreth asaj se kush do të lejohej të shpëtonte artefaktet nga anija.

Pjesërisht ishte një përpjekje për të dokumentuar dhe ruajtur artefaktet – por ishte gjithashtu një nxitim për të fituar para nga shitja e artefakteve dhe ekspozimi publik.

Skenarët më të mirë dhe më të këqij për Titanin

Megjithëse nëndetësja është projektuar për të operuar në një thellësi prej 4.000 metrash dhe do të kishte një kufi sigurie për të shkuar më thellë, ekspertët e industrisë thonë se nëndetëset e tjera kanë përdorur vetëm çelik ose titan për të siguruar që trupat e tyre mund t’i rezistojnë presionit.

Fibrat e karbonit konsiderohen gjerësisht një material i paprovuar.
Anijet dhe avionët amerikanë dhe kanadezë janë në kërkim të Titanit, por një nëndetëse me madhësi autobusi do të jetë vështirë të dallohet në një zonë kaq të madhe të oqeanit.

Nëse Titani ka dalë në sipërfaqe, rreziku për ekuipazhin nuk ka mbaruar: hapja duket se është e mbyllur nga jashtë, që do të thotë se ata brenda do të duhet ende të mbështeten në oksigjenin e emergjencës për të marrë frymë, shkruan Guardian.

Furnizimi me oksigjen i anijes do të mbarojë të enjten herët, tha OceanGate.

Një parashikim i zymtë do të ishte mundësia e shpërthimit të zjarrit në kabinë.
Për këtë arsye, kremrat e lëkurës dhe grimi me bazë nafte zakonisht ndalohen në zhytje të thella, por zjarret ende mund të marrin flakë dhe të prodhojnë shpejt tym që shkakton asfiksi te personat në bord. Megjithatë, ngjitja emergjente duhet të jetë ende e mundur.

Nëse anija ka goditur shtratin e oqeanit, vetëm nëndetëset e specializuara për thellësi oqeanesh dhe pajisjet sonare kanë një shans të mirë për ta gjetur atë.

Nëse është në fund të oqeanit, numri i të panjohurave është i madh. “Ne dimë më shumë për sipërfaqen e Hënës sesa për fundin e oqeanit, sepse thjesht nuk e kemi eksploruar atë”, tha Jamie Pringle, një gjeo-shkencëtar mjekoligjor nga Universiteti Keele në Britani, shkruan Reuters.

Titan nisi ekspeditën me oksigjen të mjaftueshëm për të mbajtur pilotin dhe ekuipazhin për katër ditë, por ajri i kufizuar nuk është problemi i vetëm. Nëse anija do ta humbte energjinë, temperaturat e kabinës do të binin shpejt në 4 gradë ftohtë.

Skenari më i frikshëm është se anija mund të ketë pësuar dëmtime katastrofike. Në atë thellësi, thyerja e trupit të saj do të ishte shkatërruese./ REL


Top Channel

Related posts

Kievi: Rusia kërcënon anijet civile në Detin e Zi

admin

Pas kryengritjes në Rusi, mercenarët e Wagner i dorëzojnë armët ushtarakëve ruse

admin

Video/ Momentet kur rrufeja godet avionin e linjave American Eagle pak pas uljes mes stuhisë në Arkansas (fotot)

admin

Leave a Comment