KOSOVË

“Ishin duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar, brenda territorit të Kosovës” Kurti tregon detaje për rrëmbimin e tre policëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se 15 forca serbe kanë sulmuar dhe rrëmbyer 3 policët shqiptarë brenda territorit të Kosovës. Pas vizitës së ambasadorit kosovar në Beograd, Jetish Jashari në burgun e Kralevës, Kurti ka thënë se ata i kanë dhënë atij tregime identike.

Kryeministri Kurti ka thënë se 3 policët janë rrëmbyer derisa ishin drekuar.

“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët”, ka thënë Kurti.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë, ka shkruar tutje Kurti.

“Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka thënë ai.

“Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kërkuar edhe një herë nga faktorët ndërkombëtarë, BE, SHBA dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin serb.

“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999. Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, ka shkruar ai.

Related posts

Një serb nga Bosnja që ndërroi identitetin, i bashkohet luftës së Rusisë kundër Ukrainës

admin

Abazoviq thotë se s’do të ketë ndryshim të qëndrimeve të Malit të Zi ndaj Kosovës

admin

Kurti dhe Vuçiq të mos dalin nga konferenca e radhës pa marrëveshje

admin

Leave a Comment