Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje lidhur me vizitën e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, te tre policët kosovarë të rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë të Serbisë.
Gërvalla në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti këtë të martë, ka thënë se gjatë rrëmbimit të policëve, forcat serbe kanë shkrepur armët në ajër për të shkaktuar panik te zyrtarët policorë dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre.
“Sot ambasadori Jetish Jashari, drejtues i zyrës ndërlidhëse në Beograd, ka realizuar vizitën te policët e rrëmbyer. Vizita është realizuar në qendrën e paraburgimit në Kralevë ku ata po mbahen nën akuzën tashmë vetëm për armëmbajtje pa leje. Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili. Secili prej oficerëve policorë ka përshkruar ngjarjen që nga momenti i kapjes deri te dalja para gjyqtarit të procedurës paraprake. Më 14 qershor rreth orës 12:30, duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të informuar që më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Serbisë dhe të armatosur që i kanë sulmuar dhe çarmatosur, e më pas me thes në kokë i kanë dërguar te makinat e tyre. Z.Sefa ka theksuar se disa nga këta pjesëtarë kanë shkrepur armët në ajër për të shkaktuar panik te zyrtarët policorë dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre. Në momentin e kidnapimit tre policët kanë qenë duke ngrënë drekë. Pas kidnapimit ata janë dërguar fillimisht në Rashkë e më pas rreth një ore kanë ardhur forca të tjera dhe i kanë dërguar në Beograd”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka shtuar se gjatë ndalimit 48-orësh, ata kanë bërë të ditur se nuk janë keqtrajtuar fizikisht, mirëpo nuk u është dhënë ushqim i mjaftueshëm.
“Gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë keqtrajtuar fizikisht, por nuk i është dhënë ushqim i mjaftueshëm, pra nuk i është dhënë më shumë se një copë bukë. Ata tani janë të vendosur në dhoma të veçanta, tek e tek, dhe nuk kanë qasje as në televizion apo diçka tjetër. Z.Shemë Mustafa ka njoftuar se ende i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson gjendjen e tij në burg. Atyre u është thënë se do të mund të vizitohen nga familjarët e tyre të premten”, ka thënë ajo.