“50 prej ambasadorëve iu ka mbaruar mandati”, deklarata e Këshillit të Ambasadorëve: Ka prej tyre që qëndrojnë në detyrë prej 15 vitesh, falë lidhjeve nepotike
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren me shqetësim se Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme (MEPJ) dhe Qeveria si propozuese po tregohen tejet të ngadalshme në procesin e zëvendësimit të rreth 50 ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë (nga 56 titullarë të Përfaqësive Diplomatike që kemi gjithsej), të cilëve u ka mbaruar mandati zyrtar jashtë vendit prej vitesh tashmë.
Me këtë rast, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rikujton se Ligji mbi shërbimin diplomatik, i ndryshuar nga kjo shumicë parlamentare në vitin 2015, pëcakton qartë se mandati ligjor i qëndrimit në detyrë jashtë vendit për një Ambasador ose Konsull të Përgjithshëm është 3 vjet. Pas kësaj periudhe, ajo/ai emërohet në një vend tjetër ose kthehet në Atdhe.
Ky mandat tre vjeçar është miratuar me qëllim që ambasadorët tanë të kombinojnë qëndrimin jashtë me atë brenda vendit, të jenë në kontakt me realitetet tona, të mos familjarizohen së tepërmi me vendin ku shërbejnë, por edhe për ti dhënë mundësi emërimesh edhe diplomatëve e tjerë të karrierës, cka i shërben krijimit të një trupe profesioniste diplomatësh. Kjo është një praktikë e mirënjohur ndërkombëtare dhe të gjitha vendet e tjera tregohen shumë fanatikë në këtë drejtim, duke mos lejuar të kalojë asnjë muaj jashtë afateve kohore.
Siç u përmend dhe më lart, nga 56 Ambasadorë dhe Konsuj të Përgjithshëm që ka vendi ynë, 50 prej tyre i kanë tejkaluar afatet ligjore të qëndrimit në një vend të vetëm deri tri herë! Ka dhe disa që kanë mbi 15 vjet rresht që shërbejnë jashtë vendit në disa përfaqësi diplomatike, pa u kthyer në Atdhe. Në këtë drejtim nuk kemi konkurrent ndër vendet anëtare ose jo të OKB-së!
Akoma më shqetësues është dhe fakti se më shumë se 10 ambasadorë të tjerë kanë vite që kanë mbushur moshën e pensionit, ndonëse në shërbimin tonë diplomatik ka shumë diplomatë dhe diplomate me përvojë mbi 20 vjeçare që fare mirë mund t’i zëvendësojnë të lartpërmendurit.
Një pjesë e tyre vazhdojnë të qëndrojnë falë lidhjeve nepotike dhe politike.
Nisur nga sa më sipër, Këshilli i Ambasadorëve mirëpriti muajin e kaluar lajmin mbi fillimin e procesit të zëvendësimit të 12 ambasadorëve, të cilët janë në procesin e dekretimit nga Presidenti i Republikës.
Megjithatë, duke parë emrat konkretë, KASH shpreh shqetësimin se 10 nga 12 kandidatët për ambasadorë që u dëgjuan dhe në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit vijnë nga jashtë shërbimit diplomatik, nga fusha politike, nga dikastere e fusha të tjera, madje edhe nga jashtë vendit.
Duke përjashtuar ndonjë personalitet të Kuvendit dhe politikan tjetër të spikatur, që mund të konsiderohen të përshtatshëm për këtë mision të rëndësishëm diplomatik, të tjerët u lenë shkas perceptimeve publike se këto emërime janë më tepër qoka dhe shpërblime për shërbime të ndryshme partiake. Kjo ndikon negativisht në imazhin dhe performancën e tyre të ardhshme në vendet ku do të akreditohen.
Ndër të tjera, e konsiderojmë mjaft shqetësuese që në vende si Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania, ku kemi patur historikisht diplomatë karriere të një profili të lartë, të shkojnë të panjohur në politikën, diplomacinë, ekonominë dhe shoqërinë tonë.
Në këto kushte, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirje MEPJ-së, qeverisë, Komisionit të Jashtëm të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës që të përshpejtojnë procedurat e mëtejshme për emërimin e rreth 40 ambasadorëve të tjerë. Por, kjo të bëhet duke shmangur dukuritë negative të lartpërmendura, ku ambasadorët nga jashtë shërbimit diplomatik të jenë përjashtim dhe të mbizotërojnë ata të karrierës.
Ambasadorë jashtë sistemit që mund të propozohen duhet të jenë personalitete të njohura në fushat e tyre. Theksojmë me këtë rast, se një numër aq të madh ambasadorësh jashtë sistemit nuk ka patur as në periudhën e monizmit dhe as në vitet e para pas vendosjes së pluralizmit politik.
Për më tepër që tashmë kemi një trupë diplomatike të konsoliduar, me diplomatë me përvojë, brenda dhe jashtë vendit, me grada shkencore, shumica vajza dhe gra të zonja, të cilat ia kanë përkushtuar jetën e tyre karrierës diplomatike, të cilët vecse demotivohen nga emërime të tilla.
KASH sugjeron që në emërimet në fjalë, të merren më mirë në konsideratë fushat e kompetencës së tyre, duke i çuar në vende ku ata realizojnë më mirë kërkesat dhe interesat tona gjeopolitike, ekonomike e kulturore.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, në këto emërime mund të përfshihen dhe ambasadorë me karrierë të pasur, të cilët janë hequr padrejtësisht nga detyra ose nga institucionet e larta ku kanë punuar. Kjo praktikë, e cila është ndjekur dhe më parë, pa paragjykime partiake dhe politike, do t’ia shtonte besueshëmrinë dhe efektivitetin shërbimit tonë diplomatik.