Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nëse Serbia nuk i liron tre policët e Kosovës, këtë javë rikthehet akulli në marrëdhëniet dypalëshe.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, ka thënë Rama, në një reagim në Twitter.
Sipas tij, nëse de-eskalimi nuk ndodhë, e humbur do të jetë Kosova, sepse sipas Ramës, Serbia nuk jeton pa u ri-izoluar.
Po ashtu, Rama ka thënë se kryeministri Albin Kurti sa më shumë që këmbëngul kundër aleatëve, aq më shumë do të agravohet situata.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!”, ka thënë Rama.
Ai ka kërkuar nga Kurti që të del nga gracka e vetizolimit dhe të mos e humb veriun.
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”!”, ka thënë Rama.