KOSOVË

Po bëjmë gjithçka që tre policët e Kosovës të lirohen sa më shpejt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti “po bën gjithçka” që tre policët e Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, “të lirohen sa më shpejt të pacenuar”.

Tre policët e Kosovës, ishin duke patrulluar në Leposaviq më 14 qershor, pranë kufirit me Serbinë, kur sipas autoriteteve në Kosovë, u rrëmbyen nga forcat serbe.

Serbia thotë se i arrestoi ata “thellë” brenda territorit serb dhe një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“I ftojmë edhe një herë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake dhe policore rrëmbyen policët tanë, njësiti anti-terror dhe ai ‘Kobra’ i ushtrisë tre policët tanë në Leposaviq të cilët ndodheshin pikërisht te një rrugë e mbyllur ilegale e kontrabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, që është shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti për mediat më 18 qershor.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, më herët gjatë javës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

Rasti i tre policëve të Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.

Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Related posts

Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri

admin

Autobusi me 38 pasagjerë del nga rruga, raportohet për viktima

admin

BE-ja përjashton Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën Sërpska nga grantet

admin

Leave a Comment