Në mbledhjen e fundit të Rijasetit të BFI-së së RMV-së u miratua vendimi për pranimin e kuadrove të reja profesionale që do udhëheqin me drejtoritë e BFI-së. Me drejtorinë e vakëfit do të udhëheqë, Mr. Fehmi Ebibi, me drejtorinë e Informacionit dhe publikimeve do të udhëheqë, Fidush Ibraimi, me drejtorinë për çështje fetare dhe arsimore do të udhëheqë, Mr. Fejzulla Sadiki dhe referent në drejtorinë e vakëfit është emëruar Mr. Seadin Bilali. Në vijim janë biografitë e shkurta të kuadrove të reja.
Mr. Femi Ebibi
Lindi më 01.11.1972, në f. Negotinë –Gostivar. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, , kurse shkollën e mesme në Shkup, në medresenë “Isa Beu”.
Studimet i ka vazhduar fillimisht në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, por për shkak të konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë u detyrua të ndërpres studimet dhe të vazhdojë në Stamboll, në Universitetin Marmara, Fakulteti i Shkencave Islame. Në vitin 1998 u diplomua në Fakultetin e Shkencave Islame në Stamboll, drejtimi histori islame. Në vitin 2016, magjistron në Institutin për histori nacionale-INI në Shkup. Momentalisht ndjek studimet e doktoraturës në institutin për histori nacionale pranë Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi,, në Shkup.
Është njohës i gjuhës maqedonase, turke dhe serbokroate. E njeh dhe shërbehet edhe me gjuhën angleze dhe arabe.
Fidush Ibraimi
Lindi më 28.09.1976 në fshatin Matkë të Shkupit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin 1990 u regjistrua në Medresenë Isa Beu në Shkup dhe me sukses e kreu në vitin 1994. Në vitin 1996 u regjistrua në Fakultetin e thirrjes islame në Tripoli të Libisë.
Për dy vite kreu institutin e gjuhës dhe letërsisë arabe. Më pas nga viti 1998-2000 përfundoi dy vitet e Fakultetit të thirrjes islame, pas çka u transferua në Fakultetin e studimeve islame në Prishtinë për të përfunduar studimet.
Në periudhën pas vitit 2000 pas kthimit në vendlindje, kryen kursin e Gazetarisë dhe për një kohë shërben në IWPR (Institute for war and peace reporting)- Institutin e raportimeve në luftë dhe paqe. Gjatë kësaj periudhe ka bërë edhe disa përkthime të artikujve dhe kronikave të ndryshme. Nga 1 mars 2010 punësohet në Televizionin Kombëtarë, Alsat-M, ku deri në vitin 2023 ka bërë punën e përkthyesit.
Është njohës i gjuhës arabe, maqedonase dhe serbokroate.
Mr. Fejzulla Sadiki
Fejzulla Sadiki, i lindur më 13.11.1987 në fshatin Gllogjë të Tetovës. Shkollimin fillorë e kreu pranë shkollës fillore “Asdreni” Gllogjë, Tearcë. Gjatë shkollimit fillorë, memorizoi Kur’anin Famëlartë tek mektebi i Xhamisë së Larme pranë mualimit të mirënjohur të trevave tona Mulla Mahmud ef. Asllani. Shkollimin e mesëm e kreu pranë shkollës së mesme Islame, Medreseja “Isa Beu” Shkup. Studimet Universitare i ka mbaruar pranë Fakultetit të Shkencave Islame, Shkup. Studimet pasuniversitare i ka mbaruar pranë Universitet “Bursa Uludag Universitesi”, Departamenti i Filozofisë dhe Shkencave Fetare – Sociologji e Religjionit. Gjatë periudhës studentore ka qenë pjesë e trajnimeve dhe seminareve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit si p.sh: “Playing for Peace” Amsterdam Holandë; “Akademia e Studentëve Ndërkombëtarë” Bursa Turqi; Qendra për gjuhë të huaja “FLUENT”. Ka qenë aktiv në jetën fetare gjatë periudhës studentore dhe poststudentore ku ka punuar si Imam në xhamitë brenda dhe jashtë vendit.
Zv. Imam dhe muallim në xhaminë e fshatit Gllogjë. Imam i përkohshëm ne “Xhamia Shqiptare Salmsach/Romans’horn” TG, Zvicër; Xhamia Shqiptare “Hana E Re” Burgdorf Bern, Zvicër; “Xhamia Shqiptare Mainz/Wiesbaden”, Gjermani; “Xhamia Shqiptare DRITA” Dusseldorf, Gjermani.
Njohës i gjuhës Angleze, Gjermane, Turke, Arabe dhe Maqedonase.
Seadin Bilali
Mr. Seadin Bilali
I lindur më 22 prill 1998 në f. Trebishte, komuna Mavrovë dhe Rostushë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollimin e mesëm në Medresenë “Isa Beu” paralelja e shtrirë në Shtip. Studimet i i mbaroi në Fakultetin e studimeve islame në Novi Pazar. Ne të njëjtin fakultet me sukses kryen edhe magjistraturën në drejtimin e shkencave islame- Akaid.