Një veturë e djegur është gjetur më larg vendit të ngjarjes ku ka ndodhur një vrasje sot në Prishtinë. Dyshohet të jetë vetura e shfrytëzuar nga të dyshuarit e implikuar në rast.
Rastin për rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Veprimet operativo-gjurmuese të ndërmarra nga ana e policisë, më larg vendit të ngjarjes kanë rezultuar me gjetjen e një veture të përfshirë nga flaka që dyshohet të jetë vetura e shfrytëzuar nga të dyshuarit e implikuar në rast”, ka njoftuar Ahmeti.
Vrasje te rruga “C” në Prishtinë
Një person është vrarë sot në rrugën “C” në Prishtinë.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka njoftuar se sot rreth orës 20:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “C” në Prishtinë.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete”, ka thënë Borovci.
Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast./21Media