KOSOVË

Mbledhja e qeverive në formatin e paraparë nuk mund të mbahet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.

Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohe nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

Në veri të Kosovës tensionet janë rritur që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Që nga 29 maji, në këto tri komuna, serbët lokalë kanë protestuar vazhdimisht.

Bashkësia ndërkombëtare i ka parashtruar kryeminstri Kurti tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi.

Related posts

“Votim familjar dhe manipulim në disa zona”, shqetësimet e OSBE ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri

admin

Haradinaj deklaron rreth 1 milion euro pasuri, nga qiraja e shtëpisë përfiton 37 mijë euro në vit

admin

Institucionet serbe nuk do të largohen nga zyrat në Mitrovicë të Veriut

admin

Leave a Comment