Nga: Ramazan Çeka
Zona e Dukagjinit zë pjesën më të madhe të Alpeve Shqiptare dhe ka nxjerrë nga gjiri i saj burra trima me zë, mendimtarë të shquar, bajraktarë dhe prijësa që kanë bërë emër që nga lashtësia e deri më sot, ku trashëgimtarët e tyre japin kontribut, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe deri në Amerikën e largët.
Ata u integruan pas ndryshimeve demokratike të barabartë si të gjithë shqiptarët, bile karakteri burrëror dhe intiligjenca e lindur i vunë ata në pararojën e ndryshimeve të thella në Shqipëri pas viteve ’90.
Të tilla figura, bij të Dukagjinit i gjen sot në sfera të ndryshme të jetës sociale, ekonomike e politike të vendit, nga kuvendi i Shqipërisë deri tek organet administrative, në veprimtaritë ekonomike kapitaliste dhe në ato social-kulturore.
Unë zgjodha të flas për njërin prej tyre, birin e Dukagjinit, të njohur në Shqipëri dhe Amerikë, z. Ndue Ftoni, të cilin do ta quaj zëri shqiptar i jetës së biznesit, që ka bërë aq shumë me investimet e tij mendore dhe kapitale për progresin, jo vetëm të vendlindjes, por të gjithë shqiptarëve në përgjithësi.
Sigurisht që unë nuk e kam të mundur t’i përmbledh të gjitha sukseset e këtij malësori, që bëri emër në Amerikën e largët, por e quaj veten me fat, që me ftesën e z.Ftoni të isha i pranishëm në disa nga aktivitetet kulturore e artistike që organizoheshin në “The Imperial House”, ku u takuam nga afër dhe shkëmbyem së bashku mendime dhe fjalë që nuk do të më shlyhen kurrë nga kujtesa ime.
Ndue Ftoni është Kryetar i “Shoqatës Dukagjini” në Michigan, por dhe humanist i pashoq, një shqiptaro-amerikan që rreth 30 vite jeton dhe vepron në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në komunitetin shqiptar të Michiganit dhe në gjithë Amerikën mike Ndue Ftoni tregon një zemërgjerësi për t’i sponsorizuar ngjarjet më të rëndësishme kulturore që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe gjithë Kombin Shqiptar. Dhe këto nuk kanë qenë të pakta, por herë pas here ka sponsorizuar shumë aktivitete me karakter lokal, si ato të krahinës së tij, Dukagjinit, por edhe të qytetit të Shkodrës e më gjerë, ku mund të përmendim prej shumë vitesh gazetën “Dukagjini”, si dhe ansamblin “Treva” të Dukagjinit. Po ashtu ka ndihmuar dhe shumë familje në nevojë e raste të tjera, jo vetëm në punësim, por edhe me ndihma monetare e materiale.
Ndër veprimtaritë e shumta që Ndue Ftoni ka organizuar si biznesmen në qendrën shqiptare “The Imperial House” vend të veçantë zë edhe mbrëmja festive e sponsorizuar prej tij me më shumë se 1200 pjesmarrës, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Sa herë që z.Ftoni vjen në Shqipëri, pra në Shkodër, ai para largimit shtron rregullisht sofrën bujare për t’u takuar me miq e shokë, si dhe personalitete të kulturës dhe artit, duke e kthyer këtë sofër në një festë thellësisht shqiptare me këngë, valle, folklor dhe humor, që tregojnë jo vetëm ndjenjat dhe dëshirat e këtij burri, por mbi të gjitha idenë e madhe të bashkimit vëllazëror.
Në këtë sofër që po shikoni në foto, që shtruar mbrëmë, çojnë dollitë e tyre edhe personalitete të shquar, kontribues të kulturës shqiptare me veprat e tyre në Amerikë, por ajo që unë dua të them, është falenderimi më i madh që del nga zemra ime për ftesen që miku im i çmuar Ndue Ftoni më bëri të isha i pranishëm edhe unë në këtë sofër bujare.
Në pamundësi për të qenë pjesë e kësaj sofre të mrekullueshme, ku siç e shikoni vetëm toka është amerikane, çdo gjë tjetër është shqiptare, e falenderoj edhe një herë mikun tim Ndue Ftoni, që gjithmonë më ka bërë pjesë e sofrave të tij.
Qershor 2023