Mali i Zi zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, të tretat brenda 9 muajve dhe të dymbëdhjetat që nga vendosja e pluralizmit politik në vend, të cilat pritet të përcaktojnë nëse anëtari i NATO-s do të tejkalojë ndasitë e thella si dhe paqëndrueshmërinë politike për të vazhduar rrugëtimin drejt familjes europiane.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.
PSD-ja e Millo Gjukanoviç hyn për herë të parë në zgjedhje pa liderin e saj historik, i cili pas tri dekadash u tërhoq nga kryesimi i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.
Në listën e votimit janë 15 parti dhe koalicione që nga ato që janë pro perëndimore deri tek ato pro serbe dhe pro ruse. Sipas shortit, në vendin e parë të fletëvotimit do të jetë partia “Është e qartë! – Partia Boshnjake – Ervin Ibrahimoviç”, e dyta “HGI – Në anën e drejtë të botës!”, dhe e treta “Drejtësi për të gjithë!” – dr. Vladimir Leposaviç”.
Lista e koalicionit të Partisë Popullore Socialiste dhe Demos “Për ty” do të jetë në vendin e katërt, lista e koalicionit të përbërë nga “Mali i Zi i Drejtë”, Lëvizja Demokristiane, “Mali i Zi i Lirë”, Partia Demokratike Serbe dhe Lëvizja për Plevlën do të jetë në vendin e pestë, me emrin “Koalicioni Popullor – të bashkuar dhe pikë”.
Në vendin e gjashtë renditet lista e Aleancës Shqiptare, koalicion i përbërë nga Forca, Aleanca Demokratike, Aleanca Demokratike e Malit të Zi dhe grupi qytetar Lëvizja për Tuzin, e ndjekur nga lista “Lëvizja për një Mal të Zi të sigurt – Sërxhan Periç”, dhe më pas lista “Lëvizja për Ndryshime – Mali i Zi i Pari – Nebojsha Medojeviç – Reforma për shpëtimin e vendit”.
Lista e “Po. Ne mundemi për një Mal të Zi qytetar!” është në vendin e nëntë. Në vendin e dhjetë është lista e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale – “Së bashku! Për të ardhmen që ju takon – Danijel Zhivkoviç”.
Lista “Evropa tani – Milojko Spajiç” është në vendin e 11-të, e ndjekur nga “SDP – Për shtëpinë tonë”, dhe më pas lista e koalicionit të Lëvizjes Qytetare URA dhe Demokratëve “Aleksa dhe Dritan – Numëroni me guxim.!”.
Në vendin e 14-të është lista e koalicionit të Demokracisë së Re Serbe, Partisë Popullore Demokratike dhe Partisë Punëtore “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, dhe në vendin e 15-të është lista e Forumit Shqiptar, e cila përbëhet nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Unioni Kombëtar i Shqiptarëve, me emrin “Forumi Shqiptar – Nik Gjeloshaj “BESA për Zhvillim Evropian”.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00.
Por cilat pritet të jenë partitë fituese sipas sondazheve?
Sipas anketimeve të bëra, garën pritet të kryesojë lëvizja “Evropa Tani” e formuar në mesin e vitit të kaluar nga ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, Millojko Spajiç dhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Spajiç dhe Milatoviç, asokohe njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë u përkrahën nga opinioni publik, duke fituar menjëherë popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve malazez, pasi realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptonte rritjen e pagave dhe të pensioneve. Në këtë fushatë ata u prezantuan me programin “Evropa 2”, e cila po ashtu parasheh rritjen e pagave, pensioneve, mirëqenien e përgjithshme dhe antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, edhe pse kjo lëvizje ka kuota të larta në sondazhe, vështirë se do të mund të formojë e vetme një qeveri të re të qendrueshme, me detyra prioritare dhe ta nxjerrë vendin nga kriza shumë-vjeçare politike dhe ekonomike për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Forcë e dytë në këto zgjedhje pritet të dalë Partia Demokratike e Socialistëve. Një ndryshim i madh parashikohet të pësojë koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sondazhet paraprake parashikojnë një rënie të theksuar.
Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën në nivel shtetëror, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku në zgjedhjet e së dielës.
Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu. Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.