Kombëtarja e Kosovës U15 ka pësuar humbje në miqësoren e parë kundër Bullgarisë U15, që u zhvillua sot në qendrën e Federatës bullgare në Bojana.
Dardanët e rinj pësuan gol ende pa kaluar minuta e parë, kur Dimitar Urumov shfrytëzoi pakujdesinë e qendërmbrojtësit dhe kapitenit të ekipit tonë, Erin Demolli dhe depërtoi i papenguar deri në afërsi të portës, për ta mposhtur nga afërsia portierin Ismail Hasimi.
Ky gol ndikoi tek të përzgjedhurit e Ilir Nallbanit, të cilët në minutën e 19-të e pësuan edhe golin e dytë, kur Iliyan Gatinski shënoi me një gjuajtje të fortë nga vija e zonës së rreptësisë pas një topi të dëbuar nga portieri Hasimi. Në pjesën e dytë loja ishte më e baraspeshuar, por Dardanët nuk arritën të gjejnë rrugën e golit.
Ndeshja e dytë miqësore zhvillohet më 10 qershor në orën 11:00.
Kosova startoi me këtë 11-she: Ismail Hasimi, Omer Rakovica, Omer Shala, Butrint Idrizi, Erhad Vokrri, Enkel Ramiqi, Ari Malaj, Erin Demolli, Rrezon Ademi, Qamil Gashi, Erion Salihi:
U aktivizuan edhe: Nari Bajrami, Aldon Osmani, Eldi Meholli, Pashtrik Morina, Festlind Graishta, Dion Bajrami, Diar Zajmi, Altin Qorraj dhe Elvan Sokoli.
/BotaSot/