I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por theksoi se Uashingtoni nuk mbështet një individ “që nuk ka instinkt bashkëpunimi”.
“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne, ne nuk mund të pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha ai gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Escobar shtoi se “ne jemi plotësisht konfuzë” me atë që është duke ndodhur.
I pyetur nëse raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë dëmtuar, Escobar tha “nuk është vetëm SHBA-ja, është i tërë komuniteti transatlantik”.
“Pra, nuk jemi vetëm ne, nuk janë vetëm 27 shtetet e BE-së, dhe SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës. Po vjen prej diku tjetër. Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, theksoi ai.
Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po zhvillojnë takime në Prishtinë – dhe më pas në Beograd – duke tentuar që të gjejnë një zgjidhje pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Escobar tha se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Zyrtari amerikan tha se pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.
Escobar tha se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.
“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat veçse delikate dhe kishte këmbëngulje duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesa. Jam në Qeverinë amerikane që kur kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë Qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane. Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta për koordinim, edhe pse ne qëndrojmë pas tyre ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata ne si partner dhe kjo duhet të ketë pasoja”, theksoi Escobar.
I pyetur për masat e tjera nëse Kosova nuk angazhohet në mënyrë konstruktive, Escobar tha se “ne nuk mund të planifikojmë asgjë, por do të shohim se si do të veprojmë”.
Escobar tha se SHBA-ja është e përkushtuar për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.
“Do të jem shumë i sinqert, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se disi ne po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitim të Serbisë”, tha Escobar.
“Dua t’ua rikujtojnë njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara, ata për vite të tëra ishin kundër fushatës sonë për njohje dhe ne vazhduam përpara, ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato s’i legjitime”, shtoi ai.
Duke folur për situatën aktuale në veri të Kosovës, Escobar tha se mënyra për të lëvizur përpara është propozimi i BE-së për shtensionimin e menjëhershëm, përfshirë edhe planin që kryetarët e rinj komunalë të mos punojnë nga objektet komunale në kohën kur tensionet janë të larta, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.
“Kjo do të thotë se ne duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin. Ne po ashtu duhet të shohim Serbinë duke ndërmarrë hapa. Kjo duhet të bëhet tani, ne duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten unë dhe Lajçak do të raportojmë te shefat tanë respektivë nëse kemi qenë të suksesshëm apo jo”.
Nëse këto përpjekje dështojnë, “kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj, se kjo do të ishte fatkeqe. Jo Kosova, por kryeministri”.
“Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, tha Escobar.
Escobar tha se SHBA-ja është në koordinim me partnerët evropianë për të punuar që të sigurohet që serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme të reja. Ai tha se këtë mesazh do ta japë edhe në Beograd, që serbët duhet të jenë pjesë e institucioneve pa parakushte.
SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën në veri të Kosovës dhe të mos insistojë që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të shkojnë në objektet komunale nën përcjelljen e policisë.
Përderisa Escobar tha se Rusia po përfiton nga kjo situatë në Kosovë, ai theksoi se Rusia nuk është duke e drejtuar atë.
“Ky është dështim i lidershipit politik në të dyjat palët për të lëvizur përpara drejt pajtimit ndëretnik. Pikë”.
Asociacioni, “e vetmja zgjidhje për Kosovën”
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Escobar tha se “nëse e ktheni prapa këtë marrëveshje, ktheheni vetë, duke marrë përsipër të gjitha pasojat që vijnë me këtë veprim, e gjithë paqëndrueshmëria në raporte, mungesa e financimit dhe mungesa e lëvizjes”.
“Shpresojmë që të mos arrijmë te kjo sepse përfitimet [nga zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit] janë shumë të mëdha”.
Zyrtari i lartë amerikan u pyet nëse Asociacioni duhet të krijohet para ose pas zgjedhjeve të reja, Escobar tha se pjesën e zbatimit ja lë BE-së.
“Qëndrimi ynë është që marrëveshja duhet të zbatohet menjëherë. Për Kosovën e vetmja zgjidhje është Asociacioni. Do të ndodhë, por pyetja është se me kë dhe për sa kohë do të duhet të presim. Ne e dimë se si do të duhej të dukej Asociacioni, ne e dimë se si nuk do të duhej të dukej. Ne mund të kemi statutin [e Asociacionit] për një ditë, nëse duam. Prandaj, nuk e kuptoj këtë vonesë”.
Sipas tij, kur të themelohet Asociacioni, ai mund të shkojë te shtetet evropiane dhe t’iu thotë: “Ata [Kosova] kanë bërë gjithçka që kemi kërkuar, prandaj ne duhet të vazhdojmë përpara me përfitime më të mëdha për Kosovën. Tani këtë nuk mund ta bëj nëse Kosova nuk bën pjesën e vetë të marrëveshjes”.
Sipas Escobarit, Asociacioni është një mënyrë për të çliruar veriun nga kontrolli i Serbisë dhe për ta vendosur atë pjesë nën kontrollin e Kosovës.
Escobar tha se Kosova menjëherë duhet të paraqesë draftin e ligjit që do të mundësonte jetësimin e Asociacionit.
“Është një ligj. Ata thjesht nuk e paraqesin”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Por, Kosova refuzon ta themelojë Asociacionin me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Ndryshe, Escobar së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur vizitën në Kosovë të hënën dhe kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, të martën ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me krerët e partive opozitare. Më pas ata do të takohen ehde me krerët shtetërorë në Beograd.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë i paraqitën Kurtit tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar: qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Dy zyrtarët po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin, me synimin që të gjejnë një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këto komuna, që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.