Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.
Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.
“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.
Ajo shtoi se Vuçiqit iu kërkua që të mos u bëjë presion qytetarëve lokalë në veri të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje.
“Ai nuk u përgjigj, por unë shpresoj që qytetarët do të lejohen që përdorin të drejtat e tyre”, shtoi Osmani.
Ndërkohë, Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtyre takimeve, Scholz tha se diskutimet me liderët lokalë ishin “serioze dhe intensive”.
Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Osmani shkroi në Twitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”./rel