AKTUALE

“20%” nuk paraqet pengesë për Bullgarët, duhet vetëm vullnet i politikanëve

Edhe pse në fillim dukej se shqiptarët do të ishin të gjithë për ndryshimet Kushtetuese që kërkohen nga Bashkimi Evropian, së fundmi partitë opozitare shqiptare kanë thënë se nuk do të votojnë “blanko” për këto ndryshime nëse nuk plotësohet edhe kërkesa që gjuha shqipe në Kushtetutë të mos quhet “gjuhë e popullatës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës”. Kjo kërkesë që duket shumë e logjikshme dhe që nuk duhej të bëhet fjalë është bërë top temë dhe kërkesa kryesore për veprimet e ardhshme të opozitës. A është ky një kërcënim serioz dhe sa ka forcë opozita t’iu thotë jo këtyre ndryshimeve!

Opozita nuk garanton votën “për” ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë se nuk garanton që do të votojë ndryshimet kushtetuese nëse nuk ka propozim që të zëvendësohet 20 përqindëshi me gjuhën shqipe. Kasami kur flet për këtë çështje, mundohet ta artikulojë atë si kërkesë të opozitës. Ai thotë se edhe brenda “Grupit të zjarrit” dhe partive tjera opozitare ka një frymë të mirëfilltë bashkëpunimi dhe kjo mund të reflektohet në kushtëzimin e votimit të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, tre deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi që janë pjesë e “grupit të zjarrit” brenda BDI-së, kanë inicuar ndryshime kushtetuese sa i përket çështjes bullgare por edhe për heqjen e përkufizmit 20 përqind sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.

Me këtë nismë edhe njëherë ky grup riafirmon qëndrimin se janë pro ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes bullgare dhe rrjedhimisht qëndrojnë fuqishëm në rrugën evropiane. Por njëkohësisht vlerësojnë se është momenti politik që përkufizimi 20 % për gjuhën shqipe të hiqet nga Kushtetuta sepse fundja Kushtetuta nuk hapet çdo ditë dhe tani është rasti që njëkohësisht zbatimin e gjuhës shqipe të vendoset në vendin e merituar.
Aktualisht, gjuha shqipe në kushtetutë përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Kërkesa e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është që gjuha shqipe të definohet qartë si gjuhë zyrtare e shtetit, sepse “nuk është në rregull që të kemi gjuhë me përqindje”.

Aleanca dikur insistonte, tani nuk është më e heshtur!

Kur Aleanca për Shqiptarët ishte në opozitë thoshte se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e tilla nëse nuk rregullohet, sipas tyre, padrejtësia që i bëhet gjuhës shqipe.

Ilmi Aziri, deputet i kësaj partie kishte thënë se ne kemi theksuar se në momentin që do të bëhet qeveria e zgjeruar, do të jetë edhe numri i mjaftueshëm prej 120 deputetësh që mundëson edhe intervenimin në kushtetutë dhe të largohet ky definim ofendues. Aq më tepër kur të gjitha partitë politike, të paktën në aspektin deklarativ, kanë thënë se nuk pajtohen me definime të tilla dhe se janë të gatshme për t`iu qasur ndryshimeve kushtetuese, për të eliminuar këtë përkufizim.

Por pas hyrjes në qeveri, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, që vjen nga kjo parti ka thënë se prioritet i grupit të punës do të jetë preambula, por temë debati do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.

“Në grupin e punës prioritet mbetet preambula, mirëpo aty do të hapen të gjitha temat, përfshirë edhe këtë që u përmend, definimi i gjuhës shqipe. Por, ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar Lloga.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari ka thënë se partitë maqedonase duhet t’i përmbahen një premtimi që kanë dhënë në vitin 2019 për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit) në vitin 2019 kishim premtime nga të gjitha partitë maqedonase se në hapjen e ardhshme të Kushtetutës gjuha shqipe do të jetë [gjuhë]zyrtare, apo se nuk do të jetë si gjuhë në numër prej ‘20 për qind’ por si fjalë, ‘gjuhë shqipe’. Besoj se ne do të shkojmë deri në fund me këtë kërkesë”, tha Taravari.

Kryeministri është kundër!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen.

“Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.
Në të njëjtën vijë të mendimit është edhe kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska, e cila ka thënë se grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.

Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.

A mund të thotë “jo” opozita

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen as për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Duke e pasur parasysh situatën politikë në rajon, sidomos tani kur kemi trazira dhe tensione në Veriun e Mitrovicës, mesazhet e ndërkombëtarëve janë të qarta se nuk duan trazira të reja në Ballkan. Mesazhet e ndërkombëtarëve, e sidomos amerikanëve janë se nuk duan kokë dhimbje shtesë në Ballkan, sepse prioritet kryesor është fitorja në luftën në Ukrainë kundër Rusisë. Maqedonia e Veriut është gjithashtu një plagë që mund të rihapet çdoherë, prandaj ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që të krijohet destabilitet politik. Është shumë e pranueshme dhe logjike që “gjuha shqipe” të mos konsiderohet më gjuhë e “20 përqindëshit”, por për këtë duhet të mos ketë kundërshtime nga asnjë parti politike, e që aktualisht VMRO DPMNE haptas është kundër. Andaj, duke pasur parasysh këtë situatë, do të luhet deri në fund në kartën “tërhiqe e mos e këput” me qëllim që të gjitha palët të jenë të kënaqura. Nëse sigurohen vota për ndryshime kushtetuese edhe nga opozita maqedonase, atëherë “gjuha shqipe” do të duhet të pres për një kohë më të mirë! Zhurnal.mk

Related posts

Ademi: Presim fitore historike, me diferencë të madhe

Gjyla Halili

Faton Ahmeti nga Çairi: Ali Ahmeti plagë të hapura e punë të papërfunduara kurrë nuk ka lënë pas

admin

Zëvendës drejtori Asani mori pjesë në fillimin e ndërtimit të fabrikës së re në TIRZ Shkupi 2

admin

Leave a Comment