KOSOVË

Mijëra veta morën pjesë në tubimin e organizuar nga Vuçiçi në Beograd

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të premten në kryeqytetin serb në një tubim të madh në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me një revoltë të pashembullt kundër sundimit të tij autokratik, mes krizës së shkaktuar nga dy raste te vrasjeve ne masë, që tronditën kombin.

Tubimi sikur u vu nën hijen e një krize të re në Kosovë, ku grupe serbësh u përleshën me policinë e Kosovës dhe presidenti Vuçiç urdhëroi trupat serbe të viheshin në “gjendje të lartë gatishmërie”. Ai tha se urdhëroi një lëvizje “urgjente” të trupave serbe drejt kufirit me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Ai u tha pjesëmarrësve se menjëherë pas tubimit, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës në Kosovë. Sipas tij, autoritetet e Kosovës kanë pritur tubimin në Beograd dhe largimin e shumë njerëzve nga veriu i Kosovës për të sulmuar ndërtesat komunale në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Presidenti serb tha se Serbia po përballet me një periudhë të vështirë për Kosovën, ndërsa shtoi se do të luftojë për paqen.

“Unë do ta ruaj çdo sekondë të paqes, por në minutën e parë të sulmit ndaj serbëve në Kosovë, Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Nëse doni ta dëboni Serbinë, nuk do t’i dëboni ata”, tha ai duke akuzuar vendet perëndimore se po dënojnë veprimet e Prishtinës, por vetëm pasi shqiptarët arritën të kryejnë atë që kishin vendosur.

Ai tha po ashtu se kjo ishte nata e fundit që flet si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe sepse nesër do të japë dorëheqje nga ky post “për të qenë president i të gjithë qytetarëve”. Njëkohësisht ai paralajmëroi se më 28 qershor do të fillojë themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Vuçiçit për atë që ai e quajti “tubimi më i madh në historinë e Serbisë”, mbështetësit e tij, shumë nga të cilët kishin veshur bluza me portretin e tij, u dërguan me autobus në Beograd nga i gjithë vendi ballkanik, si dhe nga Kosova dhe Bosnja fqinje.

Organizatorët thanë se “qindra mijëra” veta morën pjesë në tubimin para parlamentit të Serbisë në mes të shiut dhe një stuhie që i shtyu shumë prej tyre të kërkonin strehë.

Atyre që punojnë në kompani dhe institucione shtetërore iu tha të merrnin një ditë pushimi nga puna për të marrë pjesë në tubim. Disa thanë se ishin paralajmëruar se mund të humbnin punën nëse nuk paraqiteshin në autobusët që filluan të mbërrinin disa orë para fillimit të tubimit.

Zyrtarët serbë thanë se tubimi do të nxis “unitetin dhe shpresën” për Serbinë.

Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë. Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.

Protestuesit opozitarë fajësojnë Vuçiçin për krijimin e një atmosfere dëshpërimi dhe ndarjeje në vend që sipas tyre çoi në mënyrë indirekte në të shtënat në masë me 3 dhe 4 maj, që lanë pas vetes 18 të vrarë dhe 20 të plagosur, shumë prej tyre nxënës shkolle që u vranë nga një nxënës 13 vjeçar.

Presidenti Vuçiç ka mohuar me forcë çdo përgjegjësi për të shtënat, duke i quajtur organizatorët e protestave të opozitës “grabitqarë” dhe “hiena” që duan të shfrytëzojnë rastet për të provuar të marrin pushtetin me forcë dhe pa zgjedhje.

Analistët besojnë se duke organizuar tubimin masiv, presidenti Vuçiç, i cili ka udhëhequr vendin për më shumë se 10 vjet me një kontroll të fortë mbi pushtetin, u përpoq të lërë nën hije protestat e opozitës me numrin e madh të pjesëmarrësve.

“Për herë të parë, Vuçiçi ka një problem”, tha analisti politik Zoran Gavriloviç. “Ata e kanë kuptuar që nuk kanë problem me opozitën aq sa me shoqërinë, pra me publikun që është zgjuar”, shtoi analisti Gavriloviç.

Presidenti Vuçiç ka lënë të hapur mundësinë që të kërkojë zgjedhje të reja parlamentare për muajin shtator, diçka që nuk ka gjasa të pranohet nga opozita në kushtet aktuale ku ai ka kontroll të plotë mbi të gjitha shtyllat e pushtetit, duke përfshirë median kryesore.

Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist pro-rus, i cili tani pretendon se dëshiron ta fusë vendin në Bashkimin Evropian, pretendoi se “shërbimet e huaja të zbulimit ” qëndrojnë pas protestave të opozitës.

Ai tha se e kishte marrë informacionin nga agjencitë “simotra” të spiunazhit “nga lindja”, domethënë nga Rusia.

Tubime të ngjashme të mëdha u mbajtën në Serbi në fillim të viteve të 90-ta, kur ish udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç mbajti fjalime të zjarrta që paralajmëruan shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë dhe nxiti masat për luftërat që pasuan./VOA

Related posts

Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët

admin

Është koha që Kurti të përcaktohet nëse do ta bëjë Asociacionin, thotë Daçiq

admin

Kërkohet llogari për Kosovën, Abazoviq thirret me urgjencë në Parlament

admin

Leave a Comment