Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi dhe drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska, vizituan kompaninë ushqimore “KIM” nga Negotina e cila feston 25 vjetorin e funksionimit të suksesshëm.
Në deklaratën e tij, Bytyqi tha se është një kompani e formuar nga kapitali 100 % vendor, e cila në fillimet e saj prodhonte keçap domate në paketim vetëm 1 kg, por që me kalimin e kohës zhvilloi me sukses gamën e produkteve me prodhimin e majonezës, salcës nga domatet, salcë tartar, salcë çokollate, marmelata si dhe organizimin e prodhimit të kërpudhave.
“Është kënaqësi kur shoh se si kompanitë tona zhvillohen me sukses dhe pushtojnë tregjet e huaja, siç është shembulli i KIM Negotinë, i cili përveç në Maqedoni i shet produktet e veta në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në vendet skandinave madje edhe në vendet tejoqeanike. Prandaj KIM u mbështet nga Qeveria përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve (LMFI) i nënshkruar në vitin 2018 me mjete tashmë të paguara prej mbi 500 mijë denarë që shpresoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes një cikli të ri financues”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se kjo kompani ka shfrytëzuar mjetet përmes fondeve IPARD, si dhe fondet për KOVID që Qeveria ka ndarë për kompanitë që kanë guxuar të investojnë edhe në kohën e KOVID-it.
Strategjia jonë përmes ligjit për mbështetjen financiare të kompanive vendore është të identifikojmë sektorët që mund të kenë vlerë të shtuar për të qenë më konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në tregjet e huaja. Vetëm në vitin 2022 janë nënshkruar mbi 270 kontrata mbështetëse me kompani që kanë hyrë në cikle investimi prej rreth 145 milionë euro dhe do të krijojnë mbi 3700 vende pune në 5 vitet e ardhshme ose deri në përfundimin e kontratave të tyre”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri theksoi se Plani për rritje ekonomike i krijuar në vitin 2017 konfirmon se kjo Qeveri e njeh rrugën e duhur të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë, përmes masave dhe politikave ekonomike për të ndikuar në zhvillimin e balancuar rajonal në krahasim me krijimin e atyre ekonomike që thellojnë boshllëk në rajonet.
Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Sanja Llukarevska, tha se si Administratë tatimore kultivojnë, avancojnë dhe mbrojnë tatimpaguesit e disiplinuar, që ishte qëllimi i vizitës së saj në KIM së bashku me zëvendëskryeministrin Bytyqi.
“Kjo është marrëdhënia që duhet të ndërtojmë mes kompanive dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, marrëdhëniet e partneritetit. Në prag të 25-vjetorit, uroj që të festojnë edhe shumë përvjetorë dhe të mbeten një markë e njohur në vendin tonë dhe më vjen mirë që kanë shfrytëzuar mjete nga fondi KOVID, i cili nga ana e tij u përdor për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë”, tha Llukarevska.
Pronari i kompanisë KIM, Sllavço Jordanov, falënderoi për ndihmën financiare të shtetit.
“Ne kemi shfrytëzuar tri pako të ndihmës shtetërore, mbi 4,8 milionë denarë në vitin 2018 përmes fondeve IPARD, pastaj në maj të vitit 2020 kur u shpall programi shtetëror për mbështetjen e kompanive gjatë KOVID-it, morëm 25% nga 200 mijë euro të investuara. Tani shpresojmë se do ta shfrytëzojmë ndihmën e Agjencisë për Investime të Huaja në fushën e punësimit”, tha Jordanov.