Një burrë i paralizuar në një aksident me biçikletë para një dekade, ka rifituar aftësinë për të qëndruar në këmbë dhe për të ecur natyrshëm, duke përdorur teknologjinë e re të trurit.
Neuroshkencëtarët në Ecole Polytechnique Federale de Lausanne (EPFL) në Zvicër kanë krijuar atë që ata e quajnë ‘urë dixhitale me valë’ e cila është në gjendje të rivendosë lidhjen e humbur midis trurit dhe palcës kurrizore.
Kjo urë dixhitale është një ndërfaqe tru-shpizë e cila lejon Gert-Jan Oskam të rimarrë kontrollin mbi lëvizjen e këmbëve të tij, duke i mundësuar atij të qëndrojë në këmbë, të ecë dhe madje të ngjisë shkallët.Ekipi tha se teknologjia e tyre gjithashtu i mundësoi Oskamit të rikuperonte disa nga funksionet e trurit që kishte humbur nga aksidenti i tij. Ai ishte në gjendje të tregonte aftësi motorike kur ura dixhitale ishte e fikur.
Sipas studiuesve, ky riparim dixhital i palcës kurrizore sugjeron se janë zhvilluar lidhje të reja nervore.
Inxhinieri 40-vjeçar nga Holanda, jetonte dhe punonte në Kinë kur pësoi një aksident me biçikletë në vitin 2011. Ai plagosi shtyllën kurrizore dhe humbi lëvizjen në këmbë.
“Kur takuam Gert-Jan, ai nuk ishte në gjendje të bënte një hap pas një dëmtimi të rëndë të shtyllës kurrizore,” tha neurokirurgu Jocelyn Bloch, i cili është profesor në EPFL.
“Për të ecur, truri duhet të dërgojë një komandë në rajonin e palcës kurrizore përgjegjëse për kontrollin e lëvizjeve. Kur ka një dëmtim të shtyllës kurrizore, ky komunikim ndërpritet”, tha Gregoire Courtine, një profesor i neuroshkencës në EPFL.
“Ideja jonë ishte të rivendosnim këtë komunikim me një urë dixhitale, një komunikim elektronik midis trurit dhe rajonit të palcës kurrizore që është ende i paprekur dhe mund të kontrollojë lëvizjet e këmbëve.”
Oskam iu nënshtrua dy operacioneve për të implantuar elektroda në tru dhe në palcën kurrizore për të bërë urën dixhitale.
Teknologjia përdor inteligjencën artificiale për të kthyer mendimet e lëvizjes në veprime, duke vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë midis trurit dhe rajoneve të palcës kurrizore të përfshira në ecje.
“Për herë të parë kjo urë dixhitale anashkalon një dëmtim, duke rivendosur komunikimin midis dy rajoneve të sistemit nervor qendror që janë shkëputur. Ajo që ne vëzhguam është një riparim dixhital i shtyllës kurrizore, një rikuperim i funksionit neurologjik që ai e ka humbur për shumë vite”, tha Prof Courtine.
Ekipi tha se gjetjet e tyre, të publikuara në revistën Nature, krijojnë një kornizë ku kontrolli natyror i lëvizjes mund të rikthehet pas paralizës.
Oskam tha se ai është në gjendje të ecë të paktën 100 metra ose më shumë, në varësi të ditës. Ai është gjithashtu në gjendje të ecë me paterica, kur implanti fiket, duke rritur shpresën se teknologji të tilla mund të rivendosin funksionin e humbur nervor.
Vitin e kaluar, studiuesit në EPFL bënë një ‘përparim klinik’ kur identifikuan një grup qelizash nervore që i ndihmon pacientët me paralizë të ngrihen në këmbë dhe të ecin përsëri.