KOSOVË

Borrell dhe Von der Leyen, skandalozë

Dekada e parë e Kroacisë në Bashkimin Evropian nuk ishte një sukses, por as një dështim dhe unë do të angazhohem personalisht kundër transformimit të Unionit në një federatë.

Kështu ka deklaruar presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, vendi i të cilit do të shënojë korrikun e ardhshëm 10 vitet e para në BE, të përforcuara këtë vit me aderimin në zonat Euro dhe Schengen.

Milanoviç ka theksuar se është kundër çdo ideje për një shtet federal, pasi nuk dëshiron një qendër të jashtme pushteti.

“Gjithashtu, financimet që vijnë nga BE janë aq të vakëta, saqë nuk mund të bësh shumë, përveç ngritjes së ndonjë qendre inovacioni, ndonjë ure, apo një kazermë për zjarrfikësit; gjëra që i shoh çdo javë jashtë Zagrebit. Por kjo në fund të fundit nuk është diçka e keqe”, ka thënë Milanoviç.

Presidenti ka kritikuar edhe më tej BE-në, duke thënë se institucionet e tij tregojnë një mungesë të theksuar demokracie dhe përgjegjshmërie dhe ka ngritur akuza ndaj kreut të diplomacisë, Josep Borrell.

“Borrell është i përfshirë në aq shumë skandale, saqë nuk do të ishte as ministër në qeverinë time; sikurse nuk do të ishte as Ursula von der Leyen”, ka thënë Milanoviç.

Ai ka shtuar më tej se, Kroacia ka qëndruar për shumë vite në dhomën e pritjes të BE-së, por jo aq gjatë sa vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë politikë të Brukselit ai e ka cilësuar abuzuese dhe të papërgjegjshme ndaj këtyre shteteve.

Presidenti ka përmendur edhe vizitën e muajit të kaluar të presidentit francez Emmanuel Macron në Pekin, që ka zemëruar disa aleatë perëndimorë, në veçanti Uashingtonin.

“Besoj se Macron kishte të drejtë kur foli për një autonomi më të madhe të BE-së. Për momentin e konsideroj atë liderin evropian më të ekuilibruar, më të arsyeshëm dhe më të fuqishëm”, ka shtuar Milanoviç.

Related posts

Në dokumentet e klasifikuar të SHBA-së thuhet se Serbia është pajtuar ta armatosë Ukrainën

admin

Tre policët e rrëmbyer sot dalin para gjykatës në Kralevë

admin

Vazhdojnë të jenë të bllokuara pikat kufitare Kosovë-Serbi

admin

Leave a Comment