KOSOVË

Dodik takohet me Putinin në Moskë

Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, konfirmoi presidenti i këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, gjatë takimit që zhvilloi në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përderisa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon, Dodik gjatë takimit me Putinin theksoi se Republika Sërpska i është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.

“Ne nuk kemi lejuar që të merret një vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe për shkak të kësaj ne u jemi ekspozuar formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.

Pamjet nga nisja e takimit u publikuan nga Televizioni Alternativa nga Banja Lluka, që është e afërt me Dodikun, dhe që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, por edhe nga Radio Televizioni publik i Republikës Sërpska (RTRS).

Sipas RTRS, “Putin i tha Dodikut se është mirënjohës për këtë sjellje miqësore ndaj Rusisë, dhe për qëndrimin neutral të Republikës Sërpska sa i përket çështjes së Ukrainës”.

Takimi mes Dodikut dhe Putinit u bë në margjinat e një tubimi, që pritet të mbledhë “mbi 500 të ftuar nga nivelet më të larta të Federatës Ruse dhe të shteteve fqinje”.

Dodik është një prej zyrtarëve të pakët shtetërorë që është takuar me Putinin, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Lideri pro-rus i Republikës Sërpska dhe Aleanca e tij e Socialdemokratëve të Pavarur, po ashtu kanë bllokuar miratimin e vendimeve në nivel shtetëror që do të mundësonin zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, që Bosnje e Hercegovina u është bashkuar./REL

Related posts

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Gjyla Halili

Stanishiq dhe Simatoviq dënohen me nga 15 vjet burg për krime në BeH

admin

Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë

admin

Leave a Comment