Futbollisti i Ballkanit, Edvin Kuç është shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës si “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës, xhiro në të cilën skuadra e tij, Ballkani u shpall kampion për herë të dytë radhazi.
I lumtur me çmimin e dhënë nga FFK, Kuç theksoi se rruga për ta mbrojtur titullin kampion nuk ishte aspak e lehtë, por karakteri i skuadrës e bëri të mundur që ky objektiv të arrihet.
Pasi mori këtë çmim, Kuç u shpreh i lumtur që skuadra e tij e përmbushi me sukses misionin e saj për mbrojtjen e titullit të kampionit dhe atë një javë para mbylljes së kampionatit.
“Të shpallesh Ylli i Javës në xhiron kur edhe jemi rishpallur kampion për herë të dytë radhazi është një kënaqësi e veçantë. Si kapiten jam krenar me ekipin dhe me ecurinë që kemi treguar në këtë edicion. Rruga për ta mbrojtur titullin kampion nuk ka qenë e lehtë. Kemi pasur shumë ndeshje, kemi lëshuar shumë pikë rrugës, por në fund karakteri i skuadrës, puna e shtabit teknik dhe organizimi i mirë i klubit kanë bërë që sërish trofeu i kampionit të vijë në Suharekë. Këtë çmim por edhe titullin kampion ia dedikoj kryesisë, tifozëve dhe familjes tim, e cila çdo herë më ka qëndruar afër”, ka theksuar Edvin Kuç për faqen zyrtare të FFK-së.
Në luftën për titull, Ballkani pati Dritën si rival kryesor deri në javën e parafundit të elitës së futbollit kosovar.
/BotaSot/