Ambasadori amerikan në Brograd, Christopher Hill, ka thënë se do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pasi që politikbërësit në SHBA besojnë në këtë.
Zgjidhja e çështjeve teknike në politikë nuk është për njerëzit që duan zgjidhje të shpejta, tha ai në një intervistë për televizionin kroat, Nova.
Hill e vlerësoi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një proces shumë të vështirë dhe se të gjithë e kuptojnë se situata është e vështirë, por gjithashtu tregoi se në anën tjetër është e nevojshme formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ka një vetëdije në mesin e politikëbërësve amerikanë se serbët në Mitrovicën e Veriut dhe Kosovë, në realitet, duhet ta kenë këtë çështje të zgjidhur përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Hill.
“Është një çështje me të cilën po merren edhe evropianët edhe SHBA-ja dhe ndonëse nuk do të ketë përparim në çdo takim, në fund do të kemi një bashkësi të komunave me shumicë serbe”, tha diplomati amerikan.
Ai pajtohet me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në vlerësimin e tij negativ për zgjedhjet e fundit të mbajtura në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga Lista Serbe.
“Nuk besoj se këto zgjedhje mund të kenë një ndikim pozitiv në komunat me shumicë serbe në afat të gjatë dhe është e rëndësishme për mua që të fokusohemi dhe ta tejkalojmë atë dhe të arrijmë në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Hill.
“Dallimet janë të thella dhe është koha që njerëzit të fillojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin më mirë për të gjetur një zgjidhje”, theksoi ai.