KOSOVË

Serbia rrezikon liberalizimin e vizave

Komisioni Evropian ka pranuar se është i shqetësuar për ekzistimin e disa procedurave të lehtësuara për dhënien e shtetësisë të huajve nga ana e vendeve, të cilat gëzojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Në këtë mënyrë, sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, personat nga vendet e treta fitojnë mundësinë që të shmangin procedurat e Schengenit për t’u pajisur me viza dhe paraqesin edhe rrezik për sigurinë e vendeve të BE-së. Në mënyrë të veçantë Komisioni përmend Serbinë, e cila ka pasur një skemë të tillë, shkruan REL-RFE.

“Komisioni ka një shqetësim të përgjithshëm për versionet e ndryshme të skemave të dhënies së shtetësisë, siç është procedura e thjeshtëzuar për dhënien e shtetësisë pas një periudhe të shkurtër qëndrimi. Kjo mund të paraqesë rrezik publik dhe të sigurisë për BE-në, pasi Serbia gëzon lëvizje pa viza në BE. Komisioni do t’i monitorojë politikat e tilla të natyralizimit dhe dhënies së shtetësisë nga ana e shteteve që kanë liberalizim vizash në kuadër të mekanizmave për suspendimin e vizave”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ai, po ashtu, ka theksuar se politika e vizave e vendeve fqinje ka një ndikim të madh në lëvizjen e imigrantëve drejt Bashkimit Evropian.

“Në rastin e Serbisë, përshtatja me regjimin e vizave të BE-së është e rëndësishme për të vazhduar përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash. Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm në përshtatjen e regjimit të saj të vizave me atë të BE-së. Komisioni inkurajon Serbinë që t’i vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim për të pasur një përshtatje të plotë”, ka thënë Komisioni Evropian.
Edhe më herët nga qarqet diplomatike në BE janë dëgjuar Kritika ndaj Serbisë për heqjen e vizave për disa shtete të treta. Kryesisht kjo është bërë për shtetet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës apo e kanë tërhequr një njohje të tillë. Disa shtete të BE-së kanë raportuar rritje të shpejtë të numrit të imigrantëve ilegalë dhe azilkërkuesve pikërisht nga këto shtete.

Ndër vendet prej nga vijnë më së shumti migrantët janë përmendur Burundi, Kuba dhe Tunizia.

Shtetas të këtyre vendeve kanë hyrë në Serbi pa viza dhe nga atje kanë kaluar në territorin e BE-së. Serbia është detyruar t’ua kthejë vizat këtyre shteteve sepse ishte kërcënuar se BE-ja do të suspendojë liberalizimin e vizave për Serbinë që është në fuqi që nga viti 2009.

Por, vërejtje BE-ja u ka dërguar edhe disa vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Një shqetësim tjetër për BE-në është edhe skema e ashtuquajtur “pasaportat e arta” përmes së cilave disa vende të rajonit u japin shtetësi atyre që investojnë shuma të caktuara në këto vende. Skema të tilla kanë pasur edhe disa vende anëtare të bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian është shprehur se ato janë ilegale sipas ligjeve të BE-së. Prandaj Komisioni Evropian kërkon edhe nga vendet e rajonit që të përmbahen nga skema të tilla.

“Komisioni vazhdimisht u ka rekomanduar partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që t’i japin fund, apo të përmbahen nga vendosja e skemave ‘shtetësi për investitorët’, që njihet me termin ‘pasaportat e arta’, pasi ato paraqesin një varg rreziqesh për rendin publik dhe sigurinë e BE-së. Në veçanti këto skema u mundësojnë qytetarëve të vendeve të treta që të marrin shtetësinë e një vendi që gëzon liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë të fitojnë mundësinë për lëvizje pa viza në BE”, ka thënë një zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Disa diplomatë të vendeve të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i vizave është bërë për t’u ndihmuar qytetarëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor për të udhëtuar në vendet e BE-së, e jo për të mundësuar keqpërdorime me qëllime politike apo financiare për qeveritë e vendeve të rajonit.

“Duhet të punojmë së bashku që të evitojmë shndërrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një derë për hyrje ilegale në BE”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

Komisioni Evropian vazhdimisht monitoron zbatimin e kritereve për liberalizim e vizave nga ana e vendeve të rajonit.

Përshtatja me regjimin e vizave të BE-së është një prej kushteve, në të cilat Brukseli insiston gjithnjë e më shumë. Në rast të refuzimit të vendeve të rajonit për t’i përmbushur kriteret, edhe pasi të ndodhë liberalizimi, BE-ja mban të drejtën për të suspenduar liberalizimin e vizave.

Deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë, por në BE thonë se vendet e rajonit nuk do të duhej të rrezikonin me heqjen e liberalizimin për qytetarët e tyre për përfitime politike apo financiare.

Related posts

Produktet nga Maqedonia zëvendësojnë ato serbe në Kosovë

admin

​Masakra e Çikatovës, krerët e shtetit: Të vendoset drejtësia

admin

Zbulohet linja e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Maqedonisë përmes liqenit të Ohrit, 4 të arrestuar

admin

Leave a Comment