KOSOVË

“Thertorja e njerëzve” e Beogradit, e lidhur me shtetin serb (IV)

“New York Times”: Presidenti, huliganët e futbollit dhe “shtëpia e tmerreve” e botës së krimit (Pjesa e katërt e shkrimit) Dhe në tetorin e 2020-s, presidenti Vuçiqi, gjatë një deklarate për dhunën e bandave, tha se kishte dëgjuar për krime të tmerrshme për javë të tëra, më pas shtoi nënkuptueshëm: “Dhe mos lejoni që i gjithë qyteti të na tregojë se si dikush i preu kokën dikujt përmes Skype”.

Ky koment tërhoqi vëmendjen e Stevan Dojçinoviqit, një prej reporterëve më të shquar hulumtues të Serbisë. Ai ka qenë objektiv i shumë kërcënimeve dhe sulmeve në mediat aleate të Vuçiqit, të cilat e kanë etiketuar ndër të tjera edhe si terrorist, spiun, mafioz, narkoman, tradhtar dhe sadomazokist.

“Banda e Belivukut kishte qenë e dobishme për shtetin, por po dilnin jashtë kontrollit, po bëheshin shumë të dhunshëm”, tha Dojçinoviq

Robert F. Worth

Lufta e bandave filloi pas rënies së Darko Shariqit, bosit të drogës, arrestimin e të cilit Vuçiqi e njoftoi me ceremoni të bujshme në vitin 2014. Shariqi kishte ndërtuar një bazë narkotikësh në Kotor, një qytet i mrekullueshëm portual mesjetar në bregdetin malazez që është një vend i trashëgimisë botërore të mbrojtur të UNESCO-s. Një grup trafikantësh të Kotorit trashëguan lidershipin e tij dhe më pas u ndanë në klane rivale për një ngarkesë 200-kilogramëshe kokaine. Lufta u kthye shpejt në vdekjeprurëse, me atentate baticë që ndodhën në Serbi dhe Mal të Zi. Klanet ndërluftuese, Kavaq dhe Shkalar, kishin krijuar lidhje me policinë dhe agjencitë e inteligjencës në të gjithë Ballkanin, të cilat po tërhiqeshin në dhunë.

Vrasja e Stankoviqit u pa në Beograd si një shenjë se lufta e klaneve po dilte jashtë kontrollit. Në mëngjesin e pas vdekjes së Stankoviqit, ministri i Brendshëm serb atëherë, Nebojsha Stefanoviq, mbajti një konferencë shtypi për të njoftuar se ishte bërë boll: Ishte koha për të goditur mafien. Siç ndodhi, gjërat do të përkeqësoheshin shumë.

Një nga veprimet e para të Belivukut si bos ishte ndryshimi i emrit të bandës së tij në “Principi”. Në një intervistë me një të përjavshme të Beogradit – të vetmen që ai dihet se e ka dhënë – ai tha se kjo ishte për shkak se ai vepronte “me parime”. Ai nuk tha se cilat ishin ato parime. Emri mbante një tjetër lidhje të heshtur: Gavrilo Principi, nacionalisti serb i Bosnjës që e nisi Luftën e Parë Botërore, duke vrarë arqidukën Franz Ferdinand në Sarajevë më 1914 dhe që ende konsiderohet gjerësisht hero midis serbëve për qëndrimin e tij të guximshëm kundër Perandorisë austro-hungareze.

I biri “pa pozitë”, por i gjithëpushtetshëm i Vuçiqit

Belivuku u bë kryelajm disa muaj më vonë, kur ai dhe bosi i tij i madh, Marko Milkoviq, i njohur si Kasapi, u akuzuan se vranë një burrë në qendër të Beogradit. Viktima ishte një ekspert i arteve marciale, i cili punonte si rojtar në një klub nate në Beograd, në një nga gomonet buzë lumit. Në televizionin e tij të preferuar, Pink TV, presidenti Vuçiq shpjegoi se ky njeri ishte në shënjestër “sepse pengoi disa nga njerëzit e Belivukut dhe Milkoviqit ta merrnin gomonen. Kur vjen në bunkerin e stadiumit, merr një gram drogë 50 euro, pastaj përhapet në të gjithë Serbinë, e shesin në gomone për 70 euro. Ai çmim vetëm rritet. Dhe kjo është arsyeja pse ky njeri u vra”. Duke dëgjuar këtë, Belivuku mund të kishte imagjinuar lehtësisht se mbështetja e tij shtetërore ishte davaritur. Provat e ADN-së që e implikonin Belivukun u zhdukën në mënyrë misterioze dhe ai dhe zëvendësi i tij u shpallën të pafajshëm (megjithëse ata kaluan pak kohë në burg para vendimit).

Një tjetër shenjë e paprekshmërisë së Belivukut ishte shfaqja e një mysafiri në tribunat e futbollit: Danilo Vuçiq, djali më i madh i presidentit. Fotografitë e Danilos me krahët e tij rreth anëtarëve të bandës së Belivukut u shfaqën në mediat e pavarura të Beogradit, duke e shtyrë presidentin të sulmonte me tërbim dhe të akuzonte gazetarët për shënjestrimin e padrejtë të familjes së tij. Vuçiqi ka thënë vazhdimisht se djali i tij, i cili punon në një dyqan vere, është qytetar privat pa pozitë zyrtare. Por Danilo duket se luan rol të paqartë politik. Dy vjet më parë, ai mirëpriti publikisht një kriminel serb të luftës pasi kishte vuajtur kohën e tij në Kroaci dhe, sipas raporteve të mediave serbe, i dorëzoi atij 30.000 dollarë para të gatshme, së bashku me çelësat e një apartamenti në Beograd dhe një makinë. Origjina e kësaj madhështie nuk është shpjeguar kurrë. (Zëdhënësit e Vuçiqit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment). Danilo është fotografuar gjithashtu përkrah liderit të Patrullës Popullore, një grup nacionalist i ekstremit të djathtë që organizon protesta kundër imigracionit dhe së fundmi kërcënoi se do të kalonte kufirin në mbrojtje të serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Bunkeri” i kriminelëve në stadium

Në vitin 2019, Belivuku dhe banda e tij kishin hapur një bunker brenda stadiumit të Partizanit, ku torturonin viktimat dhe ruanin drogë dhe armë. Ata kishin gjëra më të mëdha në mendjen e tyre sesa futbolli: Lufta midis dy fraksioneve malazeze të kokainës po e fuqizonte krimin e organizuar në të gjithë rajonin.

“Grupet më të rëndësishme kriminale të organizuara kanë vendosur t’i bashkohen njërit prej këtyre dy grupeve rivale kriminale”, ishte përfundimi i një dokumenti të Inteligjencës serbe, i cituar në një hetim nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një konsorcium ndërkombëtar, në maj të 2020-s. Nuk ishin vetëm kriminelët që drejtonin luftën e klanit. Në anën e klanit të Kavaqit, sipas informacioneve nga projekti i raportimit, ishin rreshtuar disa policë dhe agjenci të Inteligjencës serbe dhe malazeze. (Policia në të dy vendet mohon çdo lidhje me bandat). Vrasjet filluan në rrugët e Beogradit dhe Podgoricës, por shpejt u përhapën në Spanjë, Austri, Gjermani, Holandë dhe Greqi. Disa gazetarë ballkanikë që kanë monitoruar luftën e klaneve më thanë se numri aktual i trupave është më shumë se 70.

Banda e Belivukut po bëhej më e dukshme përtej kufijve të Serbisë. Në vitin 2019, roja bregdetare spanjolle kapi 800 kilogramë kokainë në një anije që vinte nga Amerika e Jugut. Droga kapte vlerën e 50 milionë eurove. Megjithëse nuk ka asnjë provë që tre marinarët serbë në varkë ishin të lidhur drejtpërdrejt me bandën e Belivukut, shumë nga paketat e kokainës mbanin imazhin e Gavrilo Principit, emblema e bandës.

Nuk ka dyshim se Belivuku dhe banda e tij janë në burg sepse Europoli ka thyer kodin në Sky-ECC, duke i ekspozuar tekstet dhe fotografitë inkriminuese të grupit. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë dinin autoritetet serbe dhe çfarë synonin të bënin për këtë. Zyrtarët e Europolit, me të cilët u takova në Hagë, ishin të shqetësuar se si dhe kur komunikonin me Serbinë në lidhje me të dhënat e Sky. Zyrtarisht, përgjimet u dorëzuan pas arrestimit të Belivukut dhe ato e formuan bazën e aktakuzës. Por Europoli (ose një nga partnerët e tij) duket se ka lajmëruar serbët disa muaj më parë. Ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha të njëjtën gjë, duke pohuar se arrestimi u mundësua nga përgjimet e Sky. Dhe në tetor të 2020-s, presidenti Vuçiqi, gjatë një deklarate për dhunën e bandave, tha se kishte dëgjuar për krime të tmerrshme për javë të tëra, më pas shtoi nënkuptueshëm: “Dhe mos lejoni që i gjithë qyteti të na tregojë se si dikush i preu kokën dikujt përmes Skype”.

Demaskimi i krimeve

Ky koment tërhoqi vëmendjen e Stevan Dojçinoviqit, një prej reporterëve më të shquar hulumtues të Serbisë. Dojçinoviq është themelues i Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit dhe ka shkruar për bandën Belivuk dhe lidhjet e saj me shtetin që nga viti 2016. Ai ka qenë objektiv i shumë kërcënimeve dhe sulmeve në mediat aleate të Vuçiqit, të cilat e kanë etiketuar, ndër të tjera, edhe si terrorist, spiun, mafioz, narkoman, tradhtar dhe sadomazokist. Dojçinoviqi është një burrë i vogël me një fytyrë të ndjeshme. Ai dhe stafi i tij punojnë jashtë Beogradit në një zyrë aq të vogël dhe plot me dokumente saqë të hysh në të është si të hysh në një dollap të tejmbushur. Dojçinoviqi më tha se beson që komenti i Vuçiqit për prerjen e kokës (ai me sa duket ngatërroi Sky me Skypen) mund të ketë qenë një paralajmërim i fundit për bandën. “Banda e Belivukut kish qenë e dobishme për shtetin, por ata po dilnin jashtë kontrollit, po bëheshin shumë të dhunshëm”, tha Dojçinoviq. “Gjithashtu po vëzhgoheshin nga jashtë, evropianët kishin njoftuar policinë serbe për përgjimet e Sky”.

Nëse Dojçinoviqi ka të drejtë, autoritetet serbe nuk kishin vendosur se çfarë të bënin me Belivukun dhe bandën e tij deri në tetorin e 2020-s. Ata ishin padyshim të shqetësuar, sepse dokumentet gjyqësore tregojnë se policia serbe filloi survejimin e bandës në fillim të gushtit, gjashtë muaj para arrestimeve. Por duket se nuk ishin mjaftueshëm të shqetësuar për të ndaluar bandën që të torturonte dhe vriste njerëz.

Mesazhet

Falë mesazheve të Sky-ECC, të zbuluara nga Europol, ne tani kemi një regjistrim jashtëzakonisht të saktë të asaj që ndodhi me disa nga burrat që filluan të zhdukeshin në Beograd më 2019. Banda e Belivukut kreu një mori vrasjesh dhe e rafinoi metodën e vrasjeve. Ndonjëherë ata e tundonin viktimën me pazare droge ose armësh; në një rast mashtruan një rival që të besonte se një bashkëpunëtor kishte kapur Belivukun dhe se ai tani mund ta vriste. Mesazhet me tekst në Sky shpesh ofrojnë dëshmi minutë pas minutë të krimeve.

Një nga njerëzit që ata shënjestruan ishte një lider 33-vjeçar rival huligan, i quajtur Goran Veliçkoviq. Ishte një figurë e shquar, e pëlqyer në stadiumin e Partizanit. Ishte i martuar me të dashurën e fëmijërisë dhe kishte dy fëmijë të vegjël dhe një biznes me një kushëri për meremetim shtëpish. Në fotografi shihet me faqe të kuqërremta, sy të gëzuar bojëkafe dhe shpatullgjerë, me një tatuazh të dukshëm në parakrahun e djathtë me muskuj të trashë me fjalët “The Young Boys”, emri i grupit të tij të fansave.

Veliçkoviqi dinte gjithçka për stadiumin dhe rivalitetet e tij. Ajo që e shqetësonte, më tha e veja e tij, Jelena, ishte roli i policisë. “Gjëja që na shqetësoi vërtet, ishte policia që ishte aty për të ofruar ndihmë për grupet rivale”, tha Jelena. “Nëse je pjesë e një grupi të tillë, kjo të jep fuqi të paimagjinueshme. Dhe nëse je kundër atij grupi, nuk mund të mbrohesh”.

Në fillim të gushtit të 2020-s, Gorani doli ta takonte një mik dhe nuk u kthye më. Do të kalonin muaj para se Jelena ta dinte me siguri se çfarë ndodhi. Vetëm kur ajo pa provat e Sky nga aktakuza, kuptoi gjithçka: Gorani ishte joshur nga një burrë, të cilit i besonte, në një rrugë të paasfaltuar pranë një fushe me grunajë jashtë Beogradit. Banda e Belivukut i zuri pritëm, e lidhi dhe e çoi në thertoren e saj, ndërsa Jelena po ushqente foshnjat dhe po bënte darkën për të shoqin.

Banda kishte përgatitur një dhomë torturash në një dhomë të fshehur, ku hyhej nga garazhi. Kishte pranga dhe rripa, së bashku me tehe, shufra të nxehta dhe rroba pune njëpërdorimshme. Mulliri i mishit ndodhej në njërin skaj. Përpara çdo vrasjeje, anëtarët e bandës vendosnin fletë plastike të freskëta në dysheme dhe mure.

Sipas aktakuzës, ata e futën Goranin brenda në dhomë dhe e morën në pyetje, duke e detyruar që ta zhbllokonte telefonin dhe të tregonte listën e kontakteve. I hoqën thonjtë me pincë, e rrahën dhe ia nxorën shpirtin, duke i prerë kokën me sëpatë. Ata gërvishtën me thikë një fyerje në shpinën e Goranit, i bënë disa fotografi dhe i dërguan te kontaktet në telefonin e tij. Një fotografi shkoi bashkë me tekstin: “E shikon zemër? Meksika në mes të Beogradit”.

Related posts

Sjellja e pacivilizuar e kryeministres serbe flet shumë

admin

Lajçak e Escobar kërkojnë që policët e Kosovës të lirohen “menjëherë”

admin

Vrasja e gruas në Pejë, i dyshuari bashkëshorti i saj

Gjyla Halili

Leave a Comment