Britania sot (6 maj) feston për një ngjarje mbretërore që ndodh një herë në gjeneratë që është kurorëzimi i Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla në një ceremoni madhështore në Westminster Abbey në Londër.
Charles po bëhet Mbret pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II. Në një ceremoni që pritet të zgjasë të paktën dy orë, Charles do të kurorëzohet zyrtarisht, dhe do të prezantohet me një sërë objektesh ceremoniale duke u njohur si Mbret nga përfaqësues të ndryshëm shtetesh.
Pjesë të Londrës qendrore janë bllokuar për disa ditë, me barriera që rreshtojnë rrugën që Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla do të kalojnë nga Pallati Buckingham, rezidenca zyrtare e monarkisë britanike në Londër, deri në Westminster Abbey, kisha e kurorëzimit që nga viti 1066.
Charles dhe Camilla do të udhëtojnë përgjatë rrugës për në kishë me një karrocë të artë të tërhequr nga gjashtë kuaj, të shoqëruar nga kalorësia mbretërore.
Shërbimi i Policisë Metropolitane të Londrës tha se e shtuna do të ishte operacioni më i madh policor një-ditor në dekada, me më shumë se 11,500 oficerë në detyrë në Londër.
Siguria rreth ngjarjes u fokusua në fillim të kësaj jave kur një burrë u arrestua jashtë Pallatit Buckingham pasi ai dyshohet se hodhi gëzhoja të armës së gjahu në territorin e pallatit.
Ceremonia është caktuar të fillojë në orën 11 të mëngjesit me orën lokale dhe pritet të zgjasë rreth dy orë, rreth një orë më e shkurtër se kurorëzimi i Elizabeth II në 1953.
Charles III do të jetë gjithashtu monarku i parë që do të lutet me zë të lartë në kurorëzimin e tij dhe në lutjen e tij, do të kërkojë “të jetë një bekim” për njerëzit “të çdo besimi dhe bindjeje”.
Duke lënë mënjanë ndryshime të tilla, vetë kurorëzimi do të ndjekë një ritual tradicional që ka qëndruar i njëjtë për më shumë se 1000 vjet citon CNN.