SHQIPËRI

Escobar: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.

“Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha zoti Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.

Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.

Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar sot nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane,

Kryeministri Kurti tha se ka propozuar një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, duke u frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh “i brengosur” meqë siç tha “është e qartë se Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin” për themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ata, ose do ta pranojnë atë për të cilën jemi pajtuar në vitin 2015, ose do të jetë fundi i çdo gjëje”, tha presidenti serb.

Zoti Escobar tha se zgjidhja duhet kërkuar në një kompromis ndërmjet palëve, duke mohuar të ketë trysni vetëm mbi Kosovën për këtë çështje.

“Ky duhet të jetë një statut i negociuar që mbron të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Pritjet dhe aspiratat tona janë të qarta dhe të larta dhe mbështetja jonë që palët të arrijnë një pozicion të përparuar është e qartë”, tha ai.

Marrëveshja e Ohrit, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, vëzhguesit tërheqin vërejtjen se marrëveshja që do të duhej të ulte tensionet mes palëve, nuk e ka ndryshuar ligjërimin e tyre politik.

Ngjashëm u shpreh të mërkurën ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili tha se bisedimet janë të vështira dhe përparimi i paktë.

“Është një ton i keq. Askush nuk thotë asgjë të mirë ndërmjet takimeve në kuadër të bisedimeve. Është një proces i vështirë dhe çështjet janë të vështira me rrënjë në histori dhe në luftë. Por, nuk e di cila është alternativa”, tha ambasadori Hill në një konferencë në Shkup mbi sfidat e sigurisë rajonale, duke nënvizuar se bisedimet duhet të përshpejtohen.

Related posts

Zgjedhjet e 14 majit/ KQZ shqyrton kërkesën e grupit të Alibeajt për regjistrimin e PD-së

admin

Rama: Nga vendet e rajonit, vetëm në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka ndikim rus

admin

Rama: Për pasaportat e arta, presim vendimin e Gjykatës Europiane! Nga amnistia nuk heqim dorë, vazhdojmë punën me ekspertët

admin

Leave a Comment