AKTUALE

Kovaçevski mirëpret sugjerimet e VMRO-DPMNE-së / VMRO-DPMNE e quan qyqar që fshihet pas grupit të punës

Vendimi për ndryshimet kushtetuese është vendim për anëtarësimin e vendit në BE dhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të siguruar të ardhme evropiane u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski në lidhje me vendimin e opozitares VMRO-DPMNE për të mos marrë pjesë në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese. Megjithatë mundësia për sugjerime mbetet e hapur tha kryeministri në një intervistë për Sitel nga Vjena.

“Fatkeqësisht, opozita, si në shumë raste dhe procese të tjera, vendosi të mos marrë pjesë në grupin e punës. Megjithatë, mbetet gjithmonë e hapur për sugjerimet e tyre, për përfshirjen e përfaqësuesve të tyre, duke pasur parasysh se ky proces nuk është proces i një personi, nuk është proces i një partie politike, nuk është proces i një qeverie, por është proces i gjithë shtetit sepse ne kemi përgjegjësi para qytetarëve, të gjitha partive politike që të sigurojmë një të ardhme evropiane për qytetarët”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski

Nga VMRO-DPMNE kryeministrin e quajnë “qyqar që fshihet pas grupit të punës” ndërsa janë të qëndrimit se ky grup për ndryshimet kushtetuese nuk ka kredibilitet ngaqë ekspertët e vërtetë me kohë janë distancuar.
“Kovaçevski me frikë fshihet pas grupit punues për amendamentet kushtetuese. LSD-ja dhe BDI-ja kur panë se nuk kishin ekspertë për grupin punues, iu drejtuan punësimit të pensionistëve, të cilët janë prindër të zyrtarëve të tyre, siç është shembulli i Branko Naumovskit, babait të ish-kryetarit të Gjorçe Petrovit, motrave të zyrtarëve nga BDI, siç është shembulli i Besa Arifit, motrës së Teuta Arifit dhe njerëzve që shfaqen si propagandues në detyrë të politikave të qeverisë në emisione debati apo në rubrika si Ana Çupeska”, thonë nga VMRO-DPMNE.

E kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski refuzon t’i përgjigjet gazetarëve për çështjen e ndryshimeve kushtetuese.
“Kjo është temë e mbyllur për mua, nuk kam çfarë të shtoj”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Hristijan Mickoski, degradon, ofendon, nënçmon profesorë të cilët do të marrin pjesë në këtë grup të punës. Por unë do ta heq këtë përgjegjësi penale që është e pabazë, pikërisht përgjegjësia penale për të cilën po flet Mickoski është e pabazë dhe do të doja të pyesja se kur do të mbajë përgjegjësi morale Hristijan Mickoski për shkak se nuk merr pjesë në asnjë proces që e çon shtetin përpara”, tha Bogdanka Kuzevska, zëdhënëse e LSDM-së.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë theksuar se fillimisht duhet të konstituohet dhe më pas të mbahet mbledhja e parë e grupit të punës ku do të formulohen amendamentet për ndryshimet kushtetuese për futje e bullgarëve dhe etnive të tjera në Kushtetutë. Pasi grupi t’i përpilojë amendamentet, ato do të kalojnë në diskutim publik dhe më pas do të dërgohen në Kuvend. Mbetet e paqartë nëse do të jetë në tryezë çështja e zëvendësimit të fjalisë “gjuha që e flasin të paktën 20% e qytetarëve” me “gjuha shqipe”, sepse nga Aleanca për Shqiptarët thashme kanë theksuar do ta ngrenë këtë çështje, por partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI u përgjigjën se tani prioritet është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, e cila do të mundësojë vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Related posts

Osmani për vizitë dy ditëshe në Moldavi, zbardhet agjenda

admin

Zhvillimet në vend, Kurti takon shefin e EULEX-it

admin

Komuniteti boshnjakë: Vendimi i Osmanit i guximshëm/ Ministri Osmani: Është obligim njerëzor

Gjyla Halili

Leave a Comment