AKTUALE

Ndryshimet kushtetuese/ Qeveria e hapur për propozimet e opozitës, Mickoski akoma në “filmin” e tij anti-europian!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe njëherë shprehu shpresën se opozita do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që duhet të hapin rrugën e vendit drejt BE-së

Janë bërë të ditur emrat e anëtarëve të grupit punues që do të duhet të përgatisë propozimin për nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, të propozuar nga Qeveria. Ministria e Drejtësisë ka shpallur dje ekipin e ekspertëve që do të marrin pjesë në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese.

Grupi punues i ekspertëve do të përbëhet nga Sali Murati – ish kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska – ish gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish gjyqtar kushtetues dhe profesor i së drejtës kushtetuese, Branko Naumovski – ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Ana Çupeska – profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, Elena Mihaillova Stratilati – profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, Besa Arifi – profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav dhe Maria Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë Kombëtare.

Ministria e Drejtësisë thotë se lista e grupit punues do të plotësohet në periudhën e ardhshme me anëtarë të tjerë që do të kontribuojnë në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese.

Paraprakisht, disa nga partitë dhe institucionet politike kanë emëruar anëtarët e tyre në grupin punues. LSDM propozoi Cvetanka Ivanovan, BDI – Arbër Ademin, ASH- Remzi Mehmedin, PRSD – Sonja Mirakovskan, PLD – Nano Ruzhinin, Hrista Najdanovan – DM, Temelko Risteskin- Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqin PDSH-ja, Eran Kurtish – Partia Lëvizja e Turqve dhe Bejxhan Ilyasin – Partia Demokratike e Turqve.
Ndër institucionet e propozuara janë Aleksandar Spasov nga Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Pritet që pas përgatitjes së amendamenteve, propozimi të kalojë në të gjitha trupat punuese brenda Parlamentit. Njëkohësisht do të mbahen dëgjime publike ku ekspertë, partitë politike, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund të shprehin qëndrimet e tyre, informon Indeks.mk

Partitë opozitare, duke përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në më të madhe, përkundër thirrjeve nga qeveria, refuzojnë të marrin pjesë në grupin punues. Ata mbeten të mendimit se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se ato nuk do të miratohen gjatë kësaj përbërje parlamentare.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe njëherë shprehu shpresën se opozita do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që duhet të hapin rrugën e vendit drejt BE-së. Duke komentuar propozimin e profesorit universitar të së drejtës kushtetuese Aleksandar Spasenovski për ndryshimin e stemës së tanishme shtetërore si koncesion i mundshëm për VMRO-DPMNE-në, Kovaçevski i bëri thirrje opozitës që lirisht t’i paraqesin propozimet e tyre në Komisionin për Çështje Kushtetuese në Ministrinë e Drejtësisë dhe aty do të diskutohen.

“Ata janë të lirë t’i sjellin të gjitha propozimet e tyre në Komisionin për Çështje Kushtetuese në Ministrinë e Drejtësisë dhe aty do të mund të diskutohet sepse shohim që opozita ndryshon çdo ditë qëndrim. A ka legjitimitet anëtarësimi ynë në NATO? Ka, edhe pse opozita nuk e ka mbështetur. Do të bëhemi anëtare të BE-së dhe shpresoj që opozita të mbështesë njëherë diçka të mirë për shtetin. Opozita nuk e mbështeti as marrëveshjen e Frontex-it, zbatimi i së cilës po fillon, ku për herë të parë kemi gjuhën maqedonase të rënditur bashkë me të gjitha gjuhët e tjera të BE-së. Opozita nuk e mbështeti këtë”, tha Kovaçevski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur Kovaçevskit ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në grupin punues dhe as nuk do të paraqesin propozime për ndryshimin e Kushtetutës dhe se kjo nuk do të ndodhë në këtë përbërje parlamentare. Ai i bëri thirrje Kovaçevskit, nëse mendon se ka mbështetje në Parlament, t’i dërgojë për miratim amendamentet kushtetuese, por nëse vërtetohet e kundërta, të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Kam thënë se grupi punues është temë e mbyllur për mua dhe për VMRO-DPMNE-në, por nëse ai është kaq i shqetësuar për ato ndryshime kushtetuese, i bëj thirrje që sa më parë t’i dorëzojë në Parlament dhe ta mbyllë atë temë. Le t’i dorëzojë në Parlament dhe nëse janë 80 deputetë, unë do të largohem nga politika, ai do të vazhdojë të jetë kryeministër, e nëse nuk janë 80 deputetë, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje”, theksoi Mickoski.

I pyetur nëse VMRO-DPMNE është e gatshme të pranojë ndryshimin e stemës për të përfunduar procesin e ndryshimit të ndryshimeve kushtetuese, Mickoski tha se këto janë dy procese paralele.

Profesori universitar i së drejtës kushtetuese dhe ish-deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski në një intervistë televizive e prezantoi idenë e ndryshimit të stemës shtetërore si mundësi që partia opozitare të pranojë ndryshimet kushtetuese. Spasenovski theksoi se ndoshta duhet të mendohet për propozimin për një luan të kuq në sfond të verdhë me pesë kulla, i cili ishte propozuar nga qeveria e atëhershme VMRO DPMNE në vitin 2014. Sipas tij, ky amendament do të jetë në dritën e përkushtimit të deklaruar të Qeverisë për promovimin e unitetit dhe mundësinë për të diskutuar me opozitën dhe për të siguruar pajtimin e saj për tekstin e amendamenteve kushtetuese.
Procedura dhe mënyra e kryerjes së ndryshimeve kushtetuese rregullohet me nenet 129, 130 dhe 131 të Kushtetutës.

Në nenin 131, nga ana tjetër, thuhet se vendimi për aderimin në ndryshimin e Kushtetutës merret nga Parlamenti me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Draftin për ndryshimin e Kushtetutës e përcakton Parlamenti me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe e vendos për diskutim publik. Vendimin për ndryshimin e Kushtetutës e miraton Parlamenti me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Related posts

Të premten nis vjeshta meteorologjike

admin

Ulja e numrit të të punësuarve në administratë, sfidë për secilën qeveri

Gjyla Halili

Nga 1 marsi buka 450 gramë nuk mund të shitet mbi 33 denarë

admin

Leave a Comment