Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i bëri thirrje sërish sipërmarrjes sot të rrisë pagat për punonjësit, në kushtet kur tregu ka filluar të ndjejë mungesën e forcave të punës.
Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të madh për rritjen e pagës minimale, Rama tha se, sipërmarrja duhet të rendë të rrisë pagat, sepse në momentin kur do të humbasin kapitalin njerëzor do të humbasin gjithçka.
“Është domosdoshmëri që edhe sektori privat, siç po bën qeveria me pagat në sektorin publik të reagojë dhe të kuptojë, sa nuk është vonë, që pavarësisht çdo gjëje tjetër suksesi i një biznesi lidhet me kapitalin njerëzor, me ata që punojnë çdo ditë. Për fat të keq, jo të gjithë e kuptojnë këtë. Ka edhe kompani si kjo model në trajtimin e punonjësve”, theksoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, në Shqipëri sot ka një ndryshim të madh sa i përket vetëdijësimit se punonjësit duhen paguar mirë dhe duhen trajtuar mirë.
Ai theksoi se, ka një rritje të pagave edhe në sektorin privat, si rezultat i një vështirësie të re të krijuar sot nga kërkesa për krah pune nga të gjitha vendet.
“Duke marrë parasysh se një pjesë e konsiderueshme e industrive tona janë të lidhura me industrinë me material porositës, që është edhe industria e parë që pas rrëzimit të komunizmit hapi dyert e fabrikave, mund të shikojmë si po shfaqen problemet e kësaj kohe dhe si po i përgjigjen kompanitë”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal dhe në një tjetër çështje që është tashmë e qartë e që ka të bëjë me zëvendësimin e kapitalit njerëzor.
“Shumë prej zonjave këtu, e kanë nisur që prej ditës së parë të hapjes së fabrikës, vite më parë. Koha kalon dhe me siguri kanë filluar t’i afrohen moshës së pensionit. Është shumë e qartë se zëvendësimi i tyre me vajza dhe djem të rinj që janë të ulen në makinat qepëse e të punojnë me të njëjtin përkushtim dhe të marrin paga, të cilat janë si këto këtu sot, e që është një nga kompanitë me të avancuara, bëhet e vështirë për një mijë e një arsye”, tha Rama.
Rama u shpreh se, ajo që ka më shumë rëndësi është trajtimi dinjitoz i punonjësve dhe ku nuk duhet të shihet si një problem, por si zgjidhje e problemit.
“Dhe ne kemi sot domosdoshmërinë që të përcjellim tek të gjitha sipërmarrjet këtë mesazh: të rendin të rrisin pagat sepse në momentin kur do të humbasin kapitalin njerëzor do të humbasin gjithçka. Dhe i gjithë ai fitim ekstra i mos respektit dhe keqtrajtimit të të drejtave të punonjësve do të jetë bumerangu i tyre”, theksoi Rama.