Policia jep detaje për protestën në veri
Asnjë rrugë për momentin nuk është bllokuar në veri, kështu ka thënë zëvendësdrejtori i policisë në veri të Mitrovicës Veton Elshani në një prononcim për RTV21.
Ai ka konfirmuar protestën e serbëve në veri të Mitrovicës, e cila siç ka thënë ka përfunduar e qetë.
“Ka pas një protestë të serbëve dhe rruga në atë kohë ka qenë e bllokuar që të qon në Basnjkë, por pas përfundimit të protestës rruga është liruar. Asnjë rrugë për momentin nuk është bllokuar në veri”, ka thënë Elshani.
Protesta në veri, për një orë u bllokua magjistralja Mitrovicë-Leposaviq
Rreth 100 qytetarë serbë kanë bllokuar sot (e mërkurë) rreth orës 14:00 magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, në shenjë revolte pas plagosjes së një qytetari serb nga ana e policisë dy ditë më parë.
Ata kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet “Shkoni nga këtu”, “Këtu nuk është vendi juaj”, “Evropë, po gjuajnë në ne” dhe të ngjashme, ndërsa kanë nënshkruar edhe një peticion ku kërkohet largimi i forcave speciale të Kosovës nga veriu.
Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe përkundër tendencës për ta destabilizuat. situatën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. falë veprimeve profesionale të pjesëtarëve të policisë së Kosovës.
Në këtë protestë kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Bllokohet një rrugë nga disa qytetarë në veri të Mitrovicës
Dhjetëra qytetarë kanë dalë në Basnjkë në pjesën e veriut të Mitrovicës si shenjë revolte e situatës së krijuar pas plagosjes së një qytetari nga një zyrtar policor i dyshuar.
Ata janë grumbulluar rreth një kilometër larg pikës statike të Policisë së Kosovës, pikë kjo e vendosur muaj më parë.
Raportohet se këtë proteste e ka thirrur Marina Jovanoviq, bashkëshortja e Milan Jovanoviqit, i cili dyshohet se u qëllua nga një zyrtar policor të hënën në mbrëmje.