Policia e Kosovës ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në gjuhën serbe, që kanë pretenduar se zyrtarë policorë të këtij institucioni e kanë sulmuar me armë zjarri një banor të komunitetit serb në veri.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se është duke kryer hetime për dyshimet se ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
“Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur, i cili gjendet duke u trajtuar në qendrën spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, është thënë në komunikatë.
Disa media në gjuhën serbe e kanë cituar një burrë të ketë thënë se vetëm pjesëtarë të forcave speciale të Policisë së Kosovës kanë qenë prezente në kohën kur ai është plagosur te Ura e Bistricës afër Zveçanit.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.
“Ne po flasim për një burrë, i cili ka tre fëmijë, po flasim për një shofer taksie. Në atë pikë ilegale të kontrollit, Policia e Kosovës ndalon serbët çdo ditë dhe i ngacmon ata. Ne kemi thënë disa herë se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.
Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.
Ky rajon është shpesh vatër e tensioneve.
Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.