Vllaznia ka gjetur momentin e duhur për të thyer “tersin” e këtij sezoni, teksa ka mundur për herë të parë Erzenin në këtë edicion me rezultatin 3:1.
Ai që hapi siparin e golave, ishte sulmuesi Herald Marku.
Pas sfidës ai u shpreh i lumtur për pikët dhe golin, dhe se do vazhdojnë të punojnë për të marrë të tjera fitore.
“Jam shumë i kënaqur për rezultatin dhe 3 pikët, normale dhe për golin. Meritë ka trajneri edhe pse ka pak ditë këtu, ia dolëm u rikthyem tek fitorja dhe jemi shumë të kënaqur.
Trajneri na tha që të qëndrojmë me këmbë në tokë, se kemi ende punë përpara, kemi një transfertë të vështirë me Kukësin.
Trajneri është munduar dhe ka përmirësuar 2-3 detaje, na ka dhënë një frymë tjetër, e reflektuam në fushë. Ishte një fitore ndaj Erzenit, por duhet të vazhdojmë të punojmë që të marrim pikë të tjera.
Na vjen shumë keq për Gurishtën që nuk do të jetë me Kukësin për shkak të kartonëve, e njëjta gjë vlen dhe për Esin Hakaj, por kemi elementët për ti zëvendësuar dhe për të bërë më të mirën në Kukës”, tha Marku.
/BotaSot/