Përmes një interviste të shkruar nga qelia e burgut “Ali Demi” në Tiranë, blogerja ruse e akuzuar për spiunazh nga prokuroria shqiptare rrëfen arrestimin në Gramsh, qëndrimin në izolim dhe frikën nga një ekstradim i mundshëm në Rusinë e Putinit.
Svetlana Timofeeva kishte vizituar me qindra godina të rrënuara, por nuk ishte përballur ndonjëherë me akuza spiunazhi përpara vizitës së saj në Shqipëri në gusht të vitit 2022. E njohur me emrin Lana Sator në rrjetet sociale, bogerja ruse e gjeti papritur veten në qendër të një lajmi që bëri xhiron e botës.
“Unë besoj se historia jonë u transformua në një thriller spiunësh nga gazetarët,” thotë Timofeeva në një intervistë me shkrim nga qelia e saj në burgun “Ali Demi” në Tiranë. “Dhe ishte lënduese,” shton ajo. Timofeeva, 34 vjeç, u arrestua më 20 gusht 2022 së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.
Intervista me Timofeevan u realizua me shkrim, pasi një kërkese e BIRN për ta vizituar atë në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” në Tiranë, u refuzua nga autoritetet. Me letra të shkëmbyera përmes avokatëve, Timofeeva tregon për herë të parë se çfarë ndodhi në fund të gushtit në Gramsh, se si i ka përjetuar thuajse tetë muajt e kaluar në qeli dhe çfarë mendon ajo për akuzat dhe procesin në Shqipëri.
Timofeeva pretendon se nuk e di me saktësi se çfarë ndodhi mes Zorin dhe rojeve të uzinës, pasi në momentin e incidentit ajo ndodhej me disa adoleshentë vendas, të cilët po e ndihmonin që të lidhej me internetin. Ajo nuk po gjente makinën dhe pasi u lidh me Alpatov, ai u kthye ta merrte.
Policia i ndaloi të dy në makinën sportive në ngjyrë portokalli, ndërsa ndodheshin në afërsi të Cërrikut. Timofeeva thotë se sendet që ndodheshin në makinë i shtuan dyshimet.
“Të gjitha këto gjëra dukeshin të tmerrshme sëbashku; makinë luksoze, biçikleta, skuteri, dy dronë, tre kamera, tenda dhe dyshekët e gjumit, pastaj Mikhail kishte syze për të parë natën [një gjë e ligjshme që mund ta blesh në çdo dyqan me mallra për gjueti] dhe Fedir kishte më shumë se një celular, një laptop dhe një hard disk me fotot nga shumë vende që ai kishte vizituar,” shkruan ajo.
Ata qëndruan për më shumë se 20 orë në komisiariatin e Elbasanit, ku një grup prej 5-6 burrash i morën në pyetje në gjuhën angleze. “Ata ishin të pasjellshëm,” shkruan ajo – ndërsa kujton se përgjigjet e saj i quanin “budallallëqe”.
Timofeeva pretendon se një përkthyes i gjuhës ruse mbërriti në komisariat pas seancës së pyetjeve dhe se ajo nënshkroi një procesverbal “me shumë gabime”. Ndaj treshes u ngritën tre akuza; por vepra penale e “sigurimit të informatave sekrete me karakter ushtarak, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj” ishte më e rënda – ajo parashikon dënime nga 3 deri në 10 vjet burg.
Blogerja ruse i konsideron akuzat “një keqkuptim” dhe beson se në një mënyrë apo një tjetër, ngjarja do të sqarohet. Por Timofeeva nuk është e kënaqur me zgjatjen pafund të hetimeve.
Ajo thotë se prokuroria kishte kohë për 3 muaj që të hetonte dhe verifikonte paisjet që ata kishin, por i ka zgjatur dy herë të tjera hetimet, me pretendimin se ata kishin “miliona gigabytes”.
“E gjithë kjo duket si paaftësi nga policia, ekspertët dhe gjykatësi,” thotë ajo, duke iu referuar zgjatjes së paraburgimit.
Svetlana Timofeeva i tha BIRN se ishte ende fëmijë kur zbuloi pasionin për rrënojat. Në moshën 13-vjeçare, ajo udhëtoi së bashku me nënën në një kompleks llixhash në Abkhazi, shtet pjesërisht i njohur buzë detit të Zi në Kaukazin Jugor, dhe vuri re se qyteti ishte i mbushur me godina të shkatërruara.
“Nënës sime iu dukën të shëmtuara, por jo mua. Unë i adhurova ato,” shkruan Timofeeva. “Fillova të eksploroja rrënojat në fillim prej kuriozitetit dhe më vonë prej tërheqjes nga jeta e ngrirë brenda tyre”, shkruan më tej ajo.
Përgjatë dy dekadave, Timofeeva e ktheu pasionin e saj në një profesion dhe u bë një ndër blogeret më të njohura të komunitetit “Urbex”; një subkulturë që lidhet me eksplorimin dhe fotografimin e godinave të braktisura, përfshi objekte ushtarake të ‘Luftës së Ftohtë’.
Ajo punoi si një guidë turistike për kuriozë që donin të eksploronin të shkuarën sovjetike të Rusisë, fotot e saj u publikuan të media të rëndësishme dhe faqja e saj në Instagram ka mbi 250 mijë ndjekës në të gjithë botën.
Timofeeva tregon se e kishte vizituar dy herë Shqipërinë dhe nuk kishte në plan një udhëtim të tretë në gushtin e vitit që shkoi. Në vizitat e mëparshme, ajo kujton se kishte ecur në këmbë si backpacker dhe kishte vizituar një tufë me rrënoja të vjetra, përfshi rrënoja ushtarake.
Në njërën prej këtyre godinave të rrethuara me tela me gjemba disa vite më parë, roja ishte treguar aq i sjellshëm sa e kishte lejuar Svetlanën dhe grupin të ngrinin kamping në oborrin e zonës ish-ushtarake.
“Më kujtohet që në një nga ish-bazat ushtarake kishte një roje në derë, por ai na lejoi të hynim dhe madje na la të ngrinim tendat brenda zonës për tre ditë. Nuk më kujtohet emri i vendit, por ishte afër detit dhe plot me njerëz që shëtisnin”, shkruan ajo në përgjigje të pyetjeve.
Megjithatë, ajo pranoi një ftesë të dytë nga Zorin për një vizitë 5-ditore në Shqipëri. Ata kishin rënë dakord që të vizitonin disa vende që ajo nuk i kishin parë më herët. Gjithçka ishte përgatitur më parë.
“Unë duhej vetëm të blija biletat e avionit, nuk kisha për të bërë kërkim për vendet, sepse çdo gjë ishte gati. Pashë që kisha mjaftueshëm ditë pushimi në fund të verës dhe biletat e avionit ishin të lira kështë që vendosa të vija”, thotë Timofeeva.
Timofeeva thotë se Shqipëria – njësoj si vendet e tjera të lindjes – ka një pasuri të madhe me rrënoja dhe se ajo do ishte e lumtur të mund të vizitonte më shumë.
“Por unë do doja ta shikoja jetën e saj jo përmes televizionit të qelisë së burgut,” shkruan ajo. /BIRN