AKTUALE

Ndryshimet kushtetuese/ Alternativa bëhet “patericë” e VMRO-së, Levicës dhe Pavle Trajanovit!

Sot skadon afati për emërimin e përfaqësuesve në grupin punues për ndryshime kushtetuese, VMRO-DPMNE, Alternativa, Levica, Partia Socialiste e Maqedonisë dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit e kanë refuzuar ftesën

Përveç partive politike parlamentare, grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë duhet të emërojë edhe përfaqësues nga Presidenca e shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe ekspertë nga fusha e së drejtës kushtetuese, shkruan Indeks.mk

Disa nga partitë politike i janë përgjigjur negativisht ftesës së Ministrisë së Drejtësisë. VMRO-DPMNE, Altenativa, Levica, Partia Socialiste e Maqedonisë dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

I pari në letrën e Drejtësisë është përgjigjur presidenti Stevo Pendarovski, i cili ka konfirmuar se përfaqësues i tij në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të jetë profesori i Fakultetit Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është këshilltar i tij juridik, ndërsa zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se SEP do të marrë pjesë aktive në grupin punës dhe se emri i përfaqësuesit që do të përfshihet në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të përcaktohet dhe shpallet deri sot.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha javën e kaluar se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është edhe obligim lidhur me negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, sipas të cilit grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë duhet të përgatisë një propozim që i përgjigjet shoqërisë maqedonase, ligjeve tona dhe çfarë presim nga e ardhmja jonë si shtet i ardhshëm anëtar i BE-së.

Kryetari i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se nuk do të marrin pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese, duke vlerësuar se në këtë fazë është e pakuptimtë dhe se qeveria dëshiron ta politizojë procesin.

Partia Socialiste e Maqedonisë në një deklaratë për media ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në grupin punues të qeverisë, i cili, siç thonë ata, “nuk ka mandat apo legjitimitet për ndryshime të tilla kushtetuese” dhe se “duhet të formuar vetëm pas nevojës për ndryshim të Kushtetutës në Kuvend, me shumicën e nevojshme prej dy të tretash”.

Edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov informoi se nuk do të marrë pjesë në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës, duke theksuar se “përderisa Bullgaria mohon popullin maqedonas, si dhe autenticitetin e gjuhës maqedonase, procedura për ndryshimin e Kushtetutës nuk duhet të të fillojë”.

Levica, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se partia me vendosmëri e refuzon ftesën për të marrë pjesë në grupet punuese për ndryshime kushtetuese. Sekretari i përgjithshëm e Alternativës, Zekiria Ibrahimi, në një konferencë për media tha se Alternativa nuk do të marrë pjesë në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës. Arsyeja e një vendimi të tillë, siç theksoi Ibrahimi, është se nuk mund të ketë grupe punuese për hartimin apo përgatitjen e amendamenteve kushtetuese derisa të arrihet një konsensus politik ndërmjet partive politike në mbështetje të këtyre amendamenteve, përmes të cilit duhet të hapet rruga për integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian.

Ministria e Drejtësisë, siç mësohet, në kërkesën për nominim është shprehur se në interes të përmbushjes së detyrimit tonë që buron nga Korniza Negociative e miratuar nga 27 shtetet anëtare të BE-së, nevojitet bashkimi politik për të garantuar perspektivën evropiane të vendit, dhe se për këtë është e nevojshme të caktohet një përfaqësues që ka njohuri në fushën e së drejtës kushtetuese dhe që do të marrë pjesë aktive në grupin e punës gjatë hartimit të ndryshimeve kushtetuese.

Sipas informacioneve të publikuara më herët, procedura për ndryshime kushtetuese, përkatësisht ndryshim i Preambulës së Kushtetutës, duhet të përfundojë më së voni deri në nëntor të këtij viti.

Related posts

Rexhepi thotë se “nuk mundet ndërmarrja që ka 300 mijë euro humbje vjetore, të ndërtojë stadiumin e Tetovës”! Ja plani i tij

Gjyla Halili

Dudush tregon si u sulmua

Gjyla Halili

Arbër Ademi: BDI fitoi me një dallim të thellë dhe historik

Gjyla Halili

Leave a Comment