SHQIPËRI

Konventa Ndërkombëtare e Turizmit, Rama të ftuarve: Shijojeni sa të mundeni dallimin e skajshëm të stereotipit të Shqipërisë

Kryeqyteti mikpriti sot Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “FESTA”-E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, i cili për 3 ditë, do të bashkojë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës, si një platformë për një sërë diskutimesh mes politikëbërësve, sipërmarrësve, operatorëve turistike dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në formësimin e një industrie kaq të rëndësishme, siç është ajo e mikpritjes.

Në çeljen e forumit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO (Organizatës Botërore të Turizmit) Zurab Pololikashvili, Zv/Presidenti Ekzekutiv i Komisionit Europian Frans Timmermans, ministra të turizmit nga më shumë se 10 vende, investitorë, drejtues kompanish, drejtues të agjencive të turizmit etj.

Forumi është konceptuar në 7 panele tematike, në të cilat 70 folës do të diskutojnë tema të rëndësishme, lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.

Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, kryeministri Rama u shpreh:

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, kështu shkruan kodi i shqiptarëve, i pari ligj i shkruar i këtij vendi, këtu e më shumë se 5 shekuj më parë dhe për sa kohë Zoti të vjen në derë përmes atij që shfaqet në pragun e shtëpisë sonë, ky i fundit është zot shtëpie për aq kohë sa qëndron mes nesh.

Prandaj, të dashur miq të ardhur nga 38 vende të botës, në këtë Konventë Ndërkombëtare të Turizmit, ndihuni zotër në shtëpinë tonë.

Shijojeni sa të mundni dallimin e skajshëm mes stereotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja për vendin krejt tjetër ku keni ardhur sot.

Ju siguroj se ky që shikoni, është i vërteti. Ndërsa vendi i krimit, i mafias, i drogës, i prostitutave, i plehrave, i varfërisë ekstreme, hajdutëve dhe lypsave në çdo rrugë apo të pastrehëve që flenë rrugëve, është pjesërisht një vend, të cilin ne e kemi lënë pas në të shkuarën dhe pjesërisht një vend që e mbajnë gjallë në retorikën e tyre, dashakeqe dhe spekulante, vendas dhe të huaj, me gojën e tyre apo me penën e tyre.

Do të ndaj me ju në fakt, një nga episodet e atyre të treve që do të përmend sot.

Disa kohë më parë, një person i rëndësishëm nga BE, nga një vend i pasur e i mirëinformuar zbriti në Tiranë. Unë isha në makinë dhe marr një mesazh nga drejtuesi i sallës së pritjes për VIP-at në aeroportin e Tiranës dhe më shkruan: “Të lutem merr në telefon, është urgjente’’. Mendova, ishte ndonjë bombë a ndonjë zjarr se pse duhet të më fliste mua? s’kishte ndodhur kurrë.

Marr në telefon dhe më thotë: “Zoti kryeministër, me vjen keq t’ju shqetësoj, por kalova të gjithë zinxhirët e hierarkisë, askush nuk mundi të ma zgjidhë problemin dhe më duhet udhëzim”.

“Cili është problemi”, – i them.

Më thotë: “Kemi një person të rëndësishëm që nuk do të hyjë në Tiranë”.

E pyes, “Ccfarë do të thotë nuk do të hyjë në Tiranë? A ka ardhur në Tiranë”?

“Po, po, ka ardhur në Tiranë, ka ardhur me një delegacion me dhjetëra njerëz, por nuk do të hyjë në Tiranë. Çfarë duhet të bëj”?

“Pse”, – i them.

“Sepse nuk ndihet i sigurt dhe kërkon automjete të blinduara dhe roja të armatosura me pushkë”.

Pyeta cili ishte statusi i këtij personi të rëndësishëm dhe normalisht ishte pjesë e asaj lige që duhej shoqëruar nga Garda jonë kombëtare.

I thashë, “Garda jonë kombëtare do të jetë aty”.

“Po, po, janë këtu”, me thotë, – “po nuk i merr seriozisht ato pistoleta që kanë, kërkon pushkë”.

I thashë, – “Mirë, i thoni zotërisë që nuk ofrojmë një shërbim të tillë kaq special kështu që mund të kthehet”.

E thashë me një shqipe më të ngjyruar dhe e fika telefonin.

Pas 45 minutash më shkruan që kanë hyrë në Tiranë.

Të nesërmen në mëngjes ky zotëri vjen në zyrën time. Nuk e di nëse ai e dinte, që unë e dija tashmë ç’kishte ndodhur, por erdhi dhe gjëja e parë që më thotë ishte: “Zoti Kryeministër ju detyrohem një ndjesë”. I them, “për çfarë”?

Më thotë, “dëgjoni, kam udhëtuar në shumë vende. Jam një qytetar i botës. Kurrë, asnjëherë nuk jam gjendur në një hendek kaq të madh midis asaj që mendoja se ishte Shqipëria dhe midis asaj që shoh që Shqipëria është”. I thashë, – “Dëgjo, mos u shqetëso. U ndodh të gjithë atyre që vijnë në Shqipëri”.

Tha, “jo, jo”, dhe meqë ra fjala, nuk dua t’ju jap shumë informacion, është një socialist mysliman. E më thotë, “Meqë ra fjala, po ecja në qendër të Tiranës mbrëmë. Është kaq mbresëlënëse, është kaq europiane, është kaq mesdhetare. Ndihesh si në Itali dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar. A mund ta imagjinoni” – më tha mua.

I them, “po, sepse nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri. Ka disa vajza me shall dhe natyrisht ne i shohim me shumë respekt, por nuk ka gra të mbuluara”.

“Dhe sot në mëngjes përpara se të vija tek ju”- më thotë, “shkova në Ministrinë e Brendshme dhe njerëzit flisnin anglisht. A e imagjinon dot”?

I thashë, “dëgjo, a e lëmë këtu? Do të ishte mirë që ta mbanit këtë eufori dhe entuziazëm për Shqipërinë kur të ktheheni në vendin tuaj dhe t’u thoni njerëzve tuaj atje, që Shqipëria është krejt ndryshe nga ajo çfarë mendoje”.

“Sigurisht do ta bëj, do ta bëj. Do të vij me bashkëshorten, me miqtë e mi. Sigurisht”.

Dhe meqë ra fjala ai është vërtet shumë i ashpër me emigracionin. Dhe kur u kthye nuk tha absolutisht asgjë nga këto. Nuk ishte keq, por nuk ishte aspak entuziast për Shqipërinë. Thjesht informoi qytetarët e tij se na kishte thënë që duhet ta luftonim më fort krimin dhe emigracionin e paligjshëm.

Më pas i thashë ambasadorit, shkruaji, tani kryeministri pret një ndjesë, sepse premtuat dhe nuk e mbajtët premtimin.

Përgjigja e tij ishte diçka që kurrë nuk do ta harroj.

“Përshëndetjet e mia më të mira dërgojani kryeministrit tuaj. Ai është një njeri i shkëlqyer, por është një politikan kaq inteligjent saqë e kupton që kjo është politikë”!

Se sa shumë kemi lënë ne nga e shkuara jonë mbrapa, këtë mund ta dëshmojë një mik i hershëm dhe i çmuar i Shqipërisë, të cilin kemi privilegjin ta kemi të ftuar të nderit, nënkryetari i sotëm i Komisionit Europian, dikur ministër i jashtëm i  Mbretërisë së Holandës, Frans Timmermans, i cili për herë të fundit ka ardhur në Shqipëri 10 vjet më parë, kur unë sapo isha zgjedhur dhe sot i thashë: i kishim të dy flokët të zeza.

“Dank u wel” Frans dhe unë shpresoj ta keni shijuar ndryshimin në Tiranë, qysh prej vizitës suaj të fundit.

Një tjetër dëshmitare këtu e pranishme e dallimit marramendës mes Shqipërisë që perceptohet nga larg dhe asaj që përjetohet nga afër, është udhëtarja e mirënjohur e BBC-së Bettany Hughes, e cila meriton falenderimet më të ngrohta jo të miat, por të popullit shqiptar, për paraqitjen besnikërisht fantastike që i bëri këtij vendi, në emisionin e saj të famshëm “Thesaret e botës’’ dhe kur them meriton falenderimet e popullit shqiptar, e them sepse për shqiptarët nuk janë ditë të mira në atdheun e BBC-së dhe të vërtetat rreth vendit tonë, mund të çlirohen nga retë e zeza të mosinfrormimit, të keqinformimit apo të disinformimit vetëm duke rritur mundësitë e audiencave të huaja për t’i prekur ato ose natyrisht përmes turizmit, atyre që marrin mundimin të vijnë, t’i prekin këtu.

Ky është episodi im i dytë. Kontakti im i parë me median e lirë, ndodhi në fillim të viteve ’90.

Isha jashtë dhe aplikova për një vizë britanike. Mu refuzua. Miku që më ftoi në Londër ishte shumë i zemëruar dhe më tha “Pse nuk shkruan një artikull për The Guardian?”, dhe thashë “Wow, unë në Guardian?”. Patjetër. Ai kishte një lloj ndikimi, krijoi kontaktet, unë shkruajta artikullin për “The Guardian” për këtë përvojë, për përvojën e mosmarrjes së vizës britanike.

Atë kohë Britania ishte në Bashkimin Europian, që ta kujtoni, ishte në një pozitë më të mirë.

E dërgoj, u ktheva shumë vonë në shtëpi dhe në atë kohë nuk kishte telefona celularë, kisha një sekretari telefonike. E shtyp butonin dhe dëgjoj zërin e një gruaje që më thotë “Zoti Rama po iu marrin nga The Guardian. Duam të flasim me ju sepse ka dy gjëra që duam të diskutojmë dhe të marrim miratimin tuaj për artikullin; së pari, për titullin dhe së dyti, diçka që është brenda artikullit.

Thashë “Wow”. Isha mësuar me një mënyrë tejet ndryshe të trajtimit të të vërtetës, të se drejtës së autorit apo të trajtimit të opinioneve të njerëzve në këtë vend, pa e imagjinuar akoma këtë kohë apokaliptike të sotme ku ti thua diçka dhe lexon se ke thënë diçka tjetër.

Megjithatë, fola me të të nesërmen dhe ajo propozoi një titull që për mua ishte shumë në rregull; kishte diçka shumë të vogël për ta ndryshuar në artikull dhe i thashë “Më vjen keq; nuk e kuptoj përse nuk e botoni dhe doni që unë t’i miratoj këto gjëra?”

Duke qenë se ajo kishte lexuar artikullin, e kishte kuptuar që unë isha ai “barbari” që sapo kishte marrë shijen e parë të lirisë dhe më thotë “Mirëserdhët në botën demokratike, zoti Rama, quhet kontroll i fakteve dhe e drejtë e autorit”. Mirë, shkëlqyer.

Disa muaj më pas marr nga e njëjta gazetë një artikull të gjatë që duhej botuar për Tiranën si parajsa e pastrimit të parave për kontinentin. Nuk e di se me sa pasaktësi e me sa informacion të rremë të marrë këtu e aty e më kërkuan me mirësjellje nëse kryeministri donte të përfshinte një fjali. Zyra ime u tha “Kryeministri është gati të flasë me ju sepse ka shumë pasaktësi në këtë artikull, faleminderit që na e dërguat dhe dërguam një listë të tërë faktesh, fakte, me referenca.

Përgjigja ishte shumë interesante, “por do të jetë për një kohë tjetër sepse artikulli duhet botuar të premten në orën 12” dhe kjo pjesë e mbushur me lloj-lloj ndyrësie për vendin tonë u botua në gazetë pa asnjë kontroll faktesh, pa asnjë të drejtë përgjigjeje.

Duam të mendojmë se civilizimi ynë po evoluon, për më mirë.

Patjetër që Shqipëria nuk është sot një vend pa probleme, përkundrazi, ky vend është në një betejë të përditshme me plagë të trashëguara; mos harroni që kur fqinjët, Greqia apo dhe fqinjët në veri që ishin një vend komunist, kishin miliona turistë, Shqipëria kishte rreth 2500 turistë në vit me kushtin që të ishin marksistë-leninistë, pra të mendosh që të vije në Shqipëri duhej të ishe marksist leninist, por kishte vetëm një detaj të vogël, p.sh në qoftë se Fransi ishte një marksist-leninist që vinte në Shqipëri si turist, – nuk është një shaka – i duhej të kalonte nga berberi sepse nuk duhej të kishte as mjekër e as mustaqe, nuk lejoheshin në Shqipëri.

Kështu që në Shqipërinë marksiste-leniniste, Karl Marksi nuk mund të hynte si turist.

Prandaj beteja sot është e përditshme, me plagë të trashëguara, me probleme që i sjell kjo koha e re që është tejet sfiduese dhe Shqipëria, e cila mund të mos jetë akoma vendi që arrin t’i ofrojë atë që duan jo pak shqiptarë që zgjedhin të largohen, është megjithatë një vend shumë i bukur në dukje, por edhe në thelb, një vend ku mikpritja është religjion dhe ku ka siguri në rrugë për banorët dhe për vizitorët më shumë sesa në shumë zona të zhvilluara të vendeve më të zhvilluara të Europës.

Unë dua këtu të falenderoj dhe të përshëndes një tjetër mik nderi, një njeri që ka dhe ai dorën e tij në ndërtimin e një prej veprave më gjeniale, sipas meje, të njeriut në kërkim të një pozicioni në hartën e turizmit duke u nisur nga asgjëja, Dubait, që është i shtrenjti Mohamed Alabbar, i cili gjendet në Shqipëri për të bërë një investim që deri shumë pak vite më parë, ne as nuk kishim kurajon ta imagjinonim se mund të ndodhte.

Episodi i fundit që ka lënë shenjë në kujtesën time dhe në lidhjen kaq të madhe e këmbëngulëse të punës time me bukurinë e këtij vendi dhe bukurinë e artit sa është e mundur; është një bashkëbisedim shumë i vështirë që pata me një gazetare nga Italia. Gazetarja erdhi këtu në fund të viteve ’90, unë kisha pak muaj që isha emëruar Ministër Kulture. Ajo shkroi një artikull të bukur, një prej të paktëve artikuj të bukur për këtë vend të errët dhe plot talente kriminale, por përpara sesa të largohej më thotë: “ministër, duhet t’ju them diçka që nuk do ta shkruaj, por duhet ta mbani parasysh. Ky është një vend ku nuk mund të bëja asnjë foto dhe është një vend ku nuk mund të dërgosh e të marrësh një kartolinë. Që ta bësh këtë duhet të shkosh në male apo diku ku nuk jeton askush”, sepse Shqipëria që kishim trashëguar dhe sidomos Shqipëria e viteve ’90, e territorit ku ndërtohej në mënyrë të paligjshme, në mënyrë të parregullt kudo ku donin njerëzit ishte një vend ku nuk bëje dot një foto. Jam shumë krenar që Shqipëria sot është një vend ku mund të bëni foto të pafundme.

Po flisja me Zurabin përpara sesa të vija këtu dhe po flisnim për turistët kinezë dhe thamë që turistët kinezë nuk e kanë qejf detin, ata në fakt nuk duan t’ia dinë për shumë gjëra që të tjerët duan t’ia dinë por duan të bëjnë sa më shumë foto të jetë e mundur.

Nuk po them që ky është vendi më i mirë për turistët kinezë sepse pastaj mund të hyj në bela, por po them se sot jemi shumë krenarë sepse jo vetëm kemi një vend ku mund të bësh foto kudo duke qenë se kemi punuar me pastrimin, me dekorimin, me gjelbërimin, kemi punuar me shumë e shumë gjëra të tjera në kuadër të këtij programi që kemi pasur të rilindjes urbane, por gjithashtu edhe sepse kemi siguruar dhe mbrojtjen e natyrës.

Sot i afrohemi 1/4  së vendit si zonë e mbrojtur. Kemi hedhur një hap shumë të madh me Vjosën, një park kombëtar që përshkon të gjithë vendin praktikisht. Imagjinojeni një park kombëtar që përshkon Francën dhe do të vazhdojmë kështu.

Përpara se ta përmbyll dua t’ju them se jemi para zgjedhjeve, shumë shpejt dhe do të marrim vendim që duke qenë se gjysma e fushatës sonë përkon me periudhën e fundit të mbjelljeve, të gjitha takimet tona, të gjitha mitingjet tona do të jenë vetëm për mbjellje dhe paratë e fushatave do shkojnë për mbjellje.

Mendoj që kjo do të jetë një fushatë me zero karbon për gjysmën e saj. Ju ftojmë që të na ftoni për gjysmën e fushatës, se pastaj do të bëjmë gjysmën tjetër.

Ja e shikon, porosia po vjen Zurab. Më porosisin ta përmbyll në shqip. Pra edhe një herë gjimnastika e fundit e kufjeve.

Kështu që, me këtë lajm që duke qenë se fushata fillon në 14 prill dhe mbaron në 14 maj, por duke qenë se nga 14 prilli, deri në fund të prillit është koha e fundit për të mbjellë fidanë, paratë e fushatës për regjira, për podiume, për mitingje, për mikrofona, për ndotje akustike do t’i vëmë në dispozicion të blerjes dhe të mbjelljes së fidanëve. Pastaj dy javët e fundit do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Siç i thashë edhe Fransit, mbase do ta marrin edhe në vendet e Europës këtë model që gjysmë fushate ta bëjnë me “zero carbon emissions in political life”.

Shumë faleminderit!

Shijojeni vendin tonë dhe me Shqipërinë ka një gjë, që nuk duhet ta harroni kurrë: është një vend ku nuk duhet të shkoni kurrë, sepse mund të vriteni, mund të vidheni sigurisht, mund të rrëmbeheni dhe shumë gjëra të tjera mund t’ju ndodhin, por nëse do guxoni të shkoni një herë, do doni gjithmonë të ktheheni.