AKTUALE

Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia gjatë vitit 2023 do të mbajnë mbledhje të përbashkët ndërqeveritare

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob sot në Lubjanë nënshkruan Deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin e përforcuar midis dy vendeve, pas së cilës mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën u vlerësua se takimet e sotme dhe Deklarata e nënshkruar janë një tjetër pasqyrim i qartë i miqësisë dhe partneritetit të sinqertë, shumëvjeçar dhe të vendosur mes dy vendeve, si dhe një udhërrëfyes për bashkëpunimin e mëtejshëm.

“Sot ne bëmë një përmbledhje  të marrëdhënieve tona të përgjithshme. Ne diskutuam gjithashtu çështje të tjera aktuale dhe të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë natyrisht luftën në Ukrainë dhe aleancën dhe unitetin tonë për këtë çështje. Ne kemi rënë dakord dhe do të përpiqemi të forcojmë bashkëpunimin dypalësh përmes dialogut të rregullt politik, duke përfshirë mbajtjen e një sesioni ndërqeveritar gjatë vitit 2023 për të gjitha fushat e rëndësishme për qytetarët. Së bashku konfirmuam nevojën për të forcuar stabilitetin e rajonit, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik, kur paqja dhe siguria evropiane duhet të ruhen. Dhe kjo është arsyeja pse ne ramë dakord, me një koordinim më të ngushtë të politikave të jashtme dhe dialog të rregullt politik, të kontribuojmë në kohezionin midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë drejtim kemi paraparë konsultime për çështje aktuale nga rajoni dhe politikën e jashtme të dy vendeve”, tha Kovaçevski.

Republika e Maqedonisë së Veriut, siç theksoi kryeministri ka treguar se di dhe mund të kontribuojë në mënyrë aktive për stabilitetin dhe perspektivat rajonale, përmes politikave të një shoqërie të barabartë për të gjithë në vend dhe përmes politikave të mirëkuptimit dhe dialogut në vend kontekstin rajonal, duke vendosur në mënyrë të qartë dhe efektive politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së në lidhje me situatën në Ukrainë, duke treguar kështu vazhdimësinë në mbështetjen e vlerave evropiane.

“Falënderoj nikoqirin tim, kryeministrin Golob dhe Republikën e Sllovenisë për mbështetjen gjithmonë të hapur me zë të lartë dhe të fortë të zhvillimit demokratik dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbështetje ishte në një nivel dinjitoz korrikun e kaluar, kur pas 17 vitesh marrje të statusit kandidat, me miq si Sllovenia, arritëm të hapnim negociatat me BE-në. Kjo mbështetje është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe sot. Këtu dëshiroj të përshëndes mbështetjen dhe inkurajimin slloven për të gjithë deputetët në Kuvendin tonë për të vazhduar punën së bashku dhe në mënyrë konstruktive, duke marrë parasysh momentin aktual dhe shanset për të bërë një hap të ri konkret në procesin e negociatave, me qëllimin përfundimtar – anëtarësimin e plotë në Union”, ka thënë ai.

Dhe prandaj nga këtu, nga Sllovenia, shtoi kryeministri, dua të them se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj e njohin rolin e tyre në kontekstin rajonal dhe evropian.

“Unë besoj fuqishëm se do të mbetemi të përkushtuar dhe do të ecim me sukses në rrugën evropiane, edhe pse disa forca të brendshme dhe të jashtme mund të mos e dëshirojnë këtë”, porositi kryeministri Kovaçevski.

Mbështetja e Sllovenisë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, siç tha kryeministri, nuk është vetëm politike dhe deklarative, por konkrete dhe praktike, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes teknike sllovene për forcimin e kapaciteteve administrative të shtetit në fushën e integrimeve evropiane , veçanërisht në fushën e harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e tij.

“Sllovenia ka dy dekada që mbështet zhvillimin e Maqedonisë së Veriut me gati 40 milionë euro në zbatimin e reformave që dalin nga procesi i integrimit evropian, por edhe në përgjithësi në drejtim të përmirësimit të zhvillimit të vendit. Ndër përfituesit e ndihmës sllovene për zhvillim, vendet e Ballkanit Perëndimor janë prioriteti numër një, pra 60 për qind e buxhetit slloven për ndihmë zhvillimore i ndahet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 40 për qind vendeve të tjera të programit. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për ne sot është se kemi paraparë avancimin e bashkëpunimit për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin në BE, me qëllim përgatitjen e suksesshme të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Union. Kjo nënkupton shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira me Slloveninë nga procesi i anëtarësimit në BE, duke përfshirë edhe projektet e financuara nga BE-ja, me qëllim të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, shton Kovaçevski.

Forcimi i bashkëpunimit për zhvillim, siç tha kryeministri, vijon me punën e përbashkët në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe hapjen e perspektivave për të rinjtë, duke forcuar shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin në shkencë dhe arsimin e lartë, të cilat janë në një nivel të avancuar, si dhe në veçanti duke nxitur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë.

Bashkëpunimi ynë është veçanërisht i frytshëm në fushën e ekonomisë dhe investimeve. Më vjen mirë që investitorët sllovenë janë të interesuar për Maqedoninë e Veriut. Kapitali slloven tradicionalisht është shumë i pranishëm në vendin tonë, si nga vëllimi ashtu edhe nga numri i investimeve, dhe vitin e kaluar tregtia mes dy vendeve vazhdoi të rritet.

Investimet sllovene në Maqedoninë e Veriut janë rreth 6.9 për qind e fluksit total të investimeve të huaja direkte, gjë që e bën Slloveninë investitorin e 5-të me radhë në vendin tim.

Statistikat thonë se fluksi total kumulativ i investimeve të huaja direkte është mbi 400 milionë euro. Në Maqedoninë e Veriut janë mbi 40 kompani sllovene që punësojnë 2500 të punësuar, mes tyre “TAB MAK”, “LTH” – shkritore në Ohër, investim me ujë të pijshëm në Probishtip, si dhe kantina e verës Ormozh – Puclavec në Disan Negotinë. Impiantet për trajtimin e ujërave të zeza janë edhe në Shtip dhe Negotinë.

Investitorët sllovenë kanë aksione në Bankën Komerciale, Ohridska Banka dhe Nova Ljubljanska Banka është pronare e Tutunska Banka, e cila është një nga bankat më të mira në vend. Prva Pokojnska Druzhba dhe Nova Ljubljanska Banka janë bashkëthemelues të dy fondeve private të pensioneve në RMV.

Nuk mund të mos përmend impiantin më të madh fotovoltaik në Maqedoninë e Veriut – GEN-I, të cilin e kemi vënë në përdorim vitin e kaluar dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut në drejtim të transformimit energjetik të vendit.

Synimi ynë është të rrisim tregtinë në 500 milionë euro (aktualisht është gati 300 milionë euro) dhe të thellojmë bashkëpunimin në fushën e investimeve të huaja direkte. Në periudhën e fundit kemi qenë edhe dëshmitarë të një interesimi të shtuar të kompanive maqedonase për të investuar dhe eksportuar në tregun slloven, ku disa marka maqedonase tashmë tregtohen mirë.

“Investimet tona në Slloveni kanë arritur mbi 30 milionë euro, para së gjithash në fushën e metalurgjisë”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Siç vlerësoi kryeministri Kovaçevski, ka potencial për bashkëpunim në fushën e telekomunikacionit, prodhimit të ushqimit organik, energjetikës dhe turizmit, digjitalizimit, duke mundësuar fluturime direkte ndërmjet dy vendeve.

“Jam veçanërisht i kënaqur që aktualisht janë rreth 1500 studentë nga Maqedonia e Veriut në studime të rregullta universitare dhe master në Fakultetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Universitetin e Lubjanës. Si personalisht ashtu edhe në Qeveri urojmë që këta studentë pas përfundimit të studimeve të kthehen në Maqedoninë e Veriut dhe të zbatojnë njohuritë e marra.

Kushtet evropiane të jetesës janë të nevojshme si për të rinjtë ashtu edhe për të gjithë qytetarët tanë dhe edhe një herë, falë jush mik Golob, Qeverisë së Sllovenisë dhe qytetarëve të Republikës së Sllovenisë, le të vazhdojmë rrugën evropiane dhe me një proces dinamik reformash, për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që besojmë se është e mundur të ndodhë deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.

Kryeministri slloven, Golob, në konferencën për shtyp vlerësoi se Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtën linjë dhe na bashkojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet kombeve.

Për këtë, siç tha kryeministri Golob, Sllovenia është një nga investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut, me mundësi për të rritur tregtinë, ai i ka treguar studentët nga vendi ynë që studiojnë në Slloveni, si urë për bashkëpunim dhe Sllovenia po ashtu mbështet zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe në fusha të tjera me rëndësi për qytetarët.

“Sllovenia dëshiron të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në të gjitha format e mundshme. Ekziston një mirëkuptim i madh i ekonomisë sllovene për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut”, tha kryeministri Golob.

Në përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Golob theksoi se Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, se e ka pritur shumë gjatë integrimin në BE “dhe sot është në pikën ku procesi ka ecur dhe duhet të bëjmë gjithçka. që ky proces të mos ndalet më kurrë”.

Related posts

Izet Mexhiti: Hasanbegu sonte fuqishëm dërgoi porosi, ndryshimi po vjen

Gjyla Halili

Zekolli: Taravari i “njejtë” me Rahman Morinën

Gjyla Halili

Biden dhe Zelensky premtojnë ndihmë për Turqinë e Sirinë

admin

Leave a Comment