Një rekord prej 81,10 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nëse nesër do të mbahej një referendum për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të votonin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, dhe vetëm 11,20 për qind do të votonin kundër. Këtë e tregojnë të dhënat nga Anketa Sociale Evropiane e publikuar së fundmi, dhe kjo anketë është realizuar nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike, Shkup. Ky është tregues i qartë që shumica dërmuese e qytetarëve janë të interesuar dhe kanë nevojë e dëshirë që vendi sa më parë të anëtarësohet në BE në mënyrë që të stabilizohet gjendja në vend. Por, kjo gjë nuk po ndodhë, edhe përkundër faktit se vullneti i popullit ekziston ky proces po zvarritet ndër vite. Aktualisht, Maqedonia e Veriut ndodhet në udhëkryq për sa i përket vazhdimit të rrugëtimit për anëtarësim, para vetes ka një sfidë të madhe ndryshimet kushtetuese, gjë që varet kryesisht nga vullneti politik dhe përgjegjësia e politikanëve për ta ndjekur më pas vullnetin e popullit.
Hulumtimi: mbi 80% e qytetarëve pro BE-së, pjesa tjetër kundër –
Një rekord prej 81,10 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, nëse nesër do të mbahej një referendum për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të votonin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe vetëm 11,20 për qind do të votonin kundër.
Këtë e tregojnë të dhënat nga Anketa Sociale Evropiane e publikuar së fundmi, e cila u prezantua këtë muaj dhe në shtetin ku Maqedonia e Veriut mori pjesë për herë të parë. Është një studim i madh krahasues që është kryer për më shumë se 20 vjet në Evropë.
Anketa e fundit e hulumtimit është realizuar në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022 nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike nga Shkupi, përmes anketës në terren me mostër prej 1.429 të anketuarve. Në hulumtimin e fundit, qëndrimet e qytetarëve të Maqedonisë krahasohen me qëndrimet e 24 vendeve evropiane.
Po ashtu, hulumtimi tregon se në Serbi përqindja e dëshirës për anëtarësim në BE është shumë më e ulët, për të qenë të saktë vetëm 46,40 për qind e qytetarëve janë pro, ndërsa 36,90 janë kundër. Kjo tregon qartazi edhe rreshtimin e Serbisë si aleat besnik i Rusisë që më shumë është e orientuar drejtë Rusisë, përkundër BE-së. Prandaj, edhe është e pakuptimtë kur shtete të BE-së krijojnë komoditet për Serbinë të luajë me standarde të dyfishta edhe me Rusinë edhe BE-në.
Maqedonia e Veriut që pas pavarësimit ka qenë e orientuar drejt BE-së –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit.
Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2022, RMV mbush plot 17 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht se jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme. Bëhet fjalë për kërkesa ligjore, dhe kriteret e Kopenhages.
Duhet përgjegjësi nga politikanët që ky proces mos të zvarritet edhe më shumë –
Sikurse çdo sukses e arritje që i atribuohet krerëve politik, ngjashëm edhe dështimet duhet të faturohen në të njëjtën adresë. Tentimet për pafajësi janë të kota dhe të pakuptimta, sepse nëse kishim pasur ndër vite politikanë të përgjegjshëm e vizionar, ky anëtarësim nuk ishte vonuar deri në këtë masë.
Janë kërkuar vazhdimisht reforma në drejtësi, si dhe në sektorët tjerë për këto reforma kanë ndryshuar formën dhe nuk kanë ndodhur asnjëherë në praktikë. Problemet me shtetet fqinjë kanë qenë ndër barrierat kryesore që kanë penguar Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE, sa zgjidhet një problem shfaqet një tjetër, gjë që i shkon përshtati Rusisë, që vendi pas një kohe të caktuar nga dëshpërimi mund të ndërrojë edhe orientimin.
Prandaj, një strukturë politike që është edhe e përgatitur edhe e përgjegjshme këtë çështje duhet ta trajtojë si prioritet duke plotësuar gjitha kushtet e nevojshme dhe të kërkuara, në mënyrë që vendi të anëtarësohet sa më parë në BE.
Qytetarët janë të dëshpëruar dhe fakti që 80% e tyre, madje më shumë se kaq, janë deklaruar se janë për anëtarësim të vendit në BE, kjo është përgjigje që qytetarët si shpëtim të vetëm në këtë katrahurë të krijuar e shohin BE-në. Një pjesë e qytetarëve të këtij vendit, veçmë kanë ndarë mendjen dhe kanë vendosur që para vendit të integrohen ata vet në BE, kanë migruar në vende të ndryshme të BE-së, kryesisht Gjermani. Gjë që ka krijuar pasoja dhe do të shpërfaqen edhe më shumë boshllëqet nga mungesa e të rinjve.