AKTUALE

Gati 60% e qytetarëve mendojnë që nuk ka cilësi në arsim, situata drejt përkeqësimit!

Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë. Së fundmi, anketa e realizuar për Detektor nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup ka rezultuar që gati 60% e të anketuarve të ndajnë mendimin që cilësia në arsim mungon. Madje, nëse krahasohen rezultatet e së njëjtës anketë të realizuar katër vite më parë, rezultatet janë edhe më të ulëta, shenjë që tregon se çdo vit e më shumë përkeqësohet gjendja në arsim sipas qytetarëve. Ndërkaq, ajo që është tregues i saktë mbi gjendjen e cilësisë në arsim sipas anketës vërehet që sa më i lartë niveli i arsimimit të të anketuarve aq më të ulëta vlerësimet për cilësinë në arsim, kjo flet për objektivitetin e atyre që janë anketuar. Mes tjerash, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë vlerësuar të jenë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera.

Anketë nga IPIS mbi cilësinë në arsim, gjendje sa shkon e përkeqësohet më shumë, çdo vit ulet cilësia në arsim –

Gati 60% e qytetarëve besojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim jo cilësor, sipas sondazhit të fundit të opinionit publik për Detektor të kryer nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup.

Sipas tij, 57,3% e të anketuarve thonë se arsimi në Maqedoninë e Veriut nuk është cilësor, në krahasim me 35,6% që janë të bindur se është cilësor. Krahasimi me anketën e kryer nga IPIS për Detektor në vitin 2019, tregon se sot pakënaqësia e qytetarëve me arsimin është edhe më e madhe, duke pasur parasysh se numri i atyre që e konsiderojnë atë të cilësisë së dobët ka shkuar nga 51.6% në 57.3%.

Sa më i lartë niveli i arsimimit të anketuarve, aq më e madhe është pakënaqësia e tyre. 67.2% e qytetarëve me arsim të lartë mendojnë se arsimi në vend nuk është cilësor. Këtu diku janë edhe ata qytetarë që kanë kryer arsimin e mesëm. 61.3% besojnë se kemi arsim jo cilësor.

Arsimi fillor së bashku me arsimin e mesëm është vlerësuar në nivel më të ulët nga qytetarët. Në një shkallë nga 1 deri në 5, arsimi fillor ka një notë mesatare prej 2.65, dhe arsimi i mesëm prej 2.64. Nota mesatare për arsimin e lartë është 2.73.

Krahasuar me sondazhin e Detektor 2019, qytetarët në të gjitha nivelet e arsimit kanë ulur notat e tyre. Pra, nota mesatare e arsimit fillor ka rënë nga 2.85 në 2.65, nga 2.73 në 2.64 në arsimin e mesëm dhe nga 2.84 në 2.73 në arsimin fillor.

Qytetarët janë më të pakënaqur me cilësinë e teksteve shkollore. Rreth 64.8% e tyre janë shprehur të pakënaqur me cilësinë e teksteve, ndërsa vetëm 19.6% janë deklaruar të kënaqur, ndërsa pakënaqësi të madhe ka edhe me kurrikulën. Të pakënaqur janë shprehur 56.8% e qytetarëve, krahasuar me 22.1% që janë shprehur të kënaqur. 44.8% e të anketuarve nuk janë të kënaqur me stafin mësimdhënës, ndërsa 36% nuk ​​kanë asnjë problem me mësuesit.

Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq –

56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.

49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk ​​kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.

Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.

Në çfarë niveli qëndron cilësia në arsim?

Se ku qëndron cilësia në arsim në Maqedoninë e Veriut është shumë thjesht e kuptueshme nëse merren dhe shqyrtohen rezultatet e testeve ndërkombëtare për nxënësit dhe Universitet në vend. Nga të gjitha testet e realizuara deri më tani vendi ynë ka rezultuar në fund të listave ose fare nuk ka qenë në listë. Për shembull, PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të  Nxënësve), studim ndërkombëtar për të lexuarit me kuptim, matematikë dhe shkenca natyrore që bën matjen e diturive dhe shkathtësive të nxënësve të moshës 15 vjeçare, ku në lexim me kuptim dhe matematikë nga 77 shtete RMV është në vendin e 67, ndërsa në shkenca natyrore nga 77 shtete RMV është në vendin e 63.

Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. 

Related posts

Feride Haxhiu kandidate e Vlen në zonën 1

Gjyla Halili

Ajdari: Nikollovski, si Mickoski, luftën e ka parë vetëm në televizor (Video)

admin

Bexheti në iftar me këshilltarët dhe administratën e komunës së Sarajit

Gjyla Halili

Leave a Comment