SHQIPËRI

“Ligjet”/ Gështenja kërkon ndryshime në ligjin “Për Nëpunësin Civil”: T’i japim fund përdorimit politik të administratës publike

Deputeti i PD, Lefter Gështenja ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve nismën ligjore për disa ndryshime në ligjin për nëpunësin civil.

Propozimet të dorëzuara zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë në muajn janar konsistojnë në sanksionimin me ligj të postimeve me përmbajtje politike. Sipas Gështenjës, në nenin 37 “Të drejtat politike”, pas pikës 3, shtohet pikat 4, 5, 6 dhe 7 me përmbajtje si më poshtë:

  1. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të publikojë, reagojë, shpërndajë apo komentojë postime me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.
  2. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të detyrojë punonjësit e tjerë apo vartësit e tij të publikojnë, reagojnë, shpërndajnë apo komentojnë postime me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.
  3. Nëpunësit civil ose punonjësit që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, i ndalohet të krijojë grupe komunikimi në platformat elektronike, me qëllim publikimin, reagimin, shpërndarjen apo komentimin e postimeve me përmbajtje politike, të bëra në rrjetet sociale.
  4. Nëpunësi civil ose punonjësi që kryen një funksion jopolitik në administratën publike, që vepron në kundërshtim me pikat 4, 5 dhe 6 të këtij neni, mban përgjegjësi penale sipas nenit 328/a të Kodit Penal.

Propozimi, sipas deputetit, erdhi pasi “në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Komisionit Evropian dhe Misioneve të OSBE/ODIHR është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme përdorimi i administratës publike në fushatat zgjedhore nga partitë në pushtet. Veçanërisht, raportet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, evidentonin përdorimin masiv të burimeve njerëzore dhe të aseteve publike, në favor të partisë në pushtet, Partisë Socialiste.

Ndër problematikat e evidentuara, është edhe detyrimi i punonjësve të administratës publike për të pëlqyer, komentuar apo shpërndarë postimet me përmbajtje politike në mbështetje të funksionarëve politikë, partive politike apo kandidatëve zgjedhorë. Kështu, drejtuesit e niveleve të ndryshme të administratës krijojnë grupe në platformat e komunikimit, siç është plaforma Whatsapp, me përbërje punonjësit e institucionit përkatës. Këta drejtues apo persona të ngarkuar prej tyre, dërgojnë në grup postime të funksionarëve apo partive politike, me qëllim që punonjësit t’i pëlqejnë, komentojnë apo shpërndajnë në rrjetet e tyre sociale.”

Në rast se punonjësit refuzojnë apo nuk e kryejnë një veprim të caktuar, ndaj tyre merren masa disiplinore, deri edhe në largim nga puna. Një sjellje e tij përbën një përdorim të qartë të përdorimit të funksioneve publike për qëllime politike, çka është dënueshme penalisht sipas nenit 328/a të Kodit Penal”- thotë deputeti demokrat.

I ndalur tek platforma “Aktiv1sti”, Gështenja thotë se punonjësve të administratës publike iu kërkohet shkarkimi i këtij aplikacioni dhe anëtarësimi i tyre në të si anëtarë i Partisë Socialiste. Po ashtu, ata janë të detyruar që këtë platformë t’ua sygjerojnë familjarëve, miqve dhe të njohurve, pasi sipas tij duhet të shkarkohet nga 25 prej tyre.

Të gjithë të anëtarësuarit në këtë platformë duhet t’i bëjnë pëlqime, komente apo shpërndarje postimeve të kryeministrit, kryetarit të Bashkisë Tiranë, ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të tjerë të Partisë Socialiste. Madje, aplikacioni përmban edhe një sistem pikëzimi bazuar në numrin e reagimeve”- thotë Gështenja, duke shtuar se skandali këtu qëndron në faktin se “administrata po përdoret për të dhënë një imazh të rremë të mbështetjes politike ndaj qeverisë, por më e rënda është fakti se permes këtij aplikacioni, të gjithë punonjësit e administratës kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste.”

Gështenja kërkon marrjen e masave, pasi sipas tij, “kjo praktikë jo vetëm dëmton depolitizimin e administratës, por e shndërron atë në një shtojcë të partisë në pushtet”.

“Me synimin për t’i dhënë fund përdorimit politik të administratës publike, projektligji i propozuar ndalon çdo nëpunës civil apo punonjës që ushtron një funksion jopolitik në administratën publike, që të postojë, reagojë, shpërndajë apo komentojë postime me përmbajtje politike në rrjetet sociale.

Rregullimet e këtij projektligji përfshijnë edhe ndalimin e detyrimit të kolegëve apo vartësve, si dhe krijimin e grupeve të komunikimit, me qëllim publikimin, reagimin, shpërndarjen apo komentimin e mesazheve politike, duke sanksionuar edhe përgjegjësitë përkatëse në rast shkeljeje të këtyre dispozitave”- sqaron Gështenja, duke theksuar se projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit.


Top Channel

Related posts

Aksidentale apo e qëllimshme, nisin hetime të thella për veturën pa frena të Abazoviqit

admin

Përfshihet nga flaka një banesë në Ulqin, dyshohet se ishte me banues nga Kosova

admin

Zjarr në spitalin e Shkodrës, evakuohen pacientët

admin

Leave a Comment