Nëse keni imagjinuar ndonjëherë të mund të komunikoni lirisht me kafshët, një personazh i pazakontë në internet mund t’ju dërgojë në një rrugëtim të thellë në marrëdhënien me natyrën, e ndoshta më shumë.
Kur njerëzit komunikojnë me kafshët ata besohet se krijojnë një lidhje të çmuar dialogu me mjedisin natyral.
Këtë thotë se bën dhe Anna Breytenbach e cila organizon seminare dhe konsultime, me vendas e klientë ndërkombëtarë për rritjen e ndërgjegjësimit, pasionit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë me kafshët në rezervatet e Afrikës së Jugut.
Anna thotë se ka praktikuar prej 18 vjetësh në disa kontinente lidhjen e saj me kafshë si luanë, gepardë, elefantë, ujqër e majmunë, si të egër e shtëpiakë, madje si në nivel personal ashtu dhe shpirtëror.
Dokumentari “The Animal Communicator”, i bazuar në jetën e saj është publikuar në 2013. Gruaja thotë se “eksperiencat e saj psikike me kafshët ” nisën gjatë trajnimit në shkollën e botës së egër në Seattle, Washington
Anna thotë: “Unë jam rritur në Afrikë dhe nuk dija gjë për speciet e Amerikë së Veriut. Por mësuesit e mi këtu më mësonin të ndjeja energjinë nga shtegu apo gjurmët e kafshëve, që bëhej duke mbyllur sytë e përfytyruar kafshët që kishin lënë ato gjurmë. Fillimisht mendoja se po humbisja mendjen por shumë herë përfytyrimet e mia rezultonin të vërteta”.
Ajo e përshkruan këtë qasje të tipit “komunikim mendje me mendje, si transferim informacioni ” teksa shton se çdokush i ka në sistemin e tij këto aftësi, mjafton t’i kërkojë e t’i aktivizojë.
“Pararendësit tanë të lashtë përdornin këto aftësi çdo ditë, siç përdorim sot format e shprehjes fizike”, thotë ajo.
Ajo shton se intuita është natyrale për njeriun dhe çelësi është të mësosh si të marrësh kontrollin e saj në mënyrë të qëllimshme, në vend që të presim kur kjo të ndodhë spontanisht.
E pyetur nëse përdorte vërtet “telepati” për të komunikuar, apo nëse ishte ndonjë gjuhë e panjohur “jashtëtokësore”, Anna përgjigjet: “Çelësi është vetëm qetësimi i mendjes me qëllimin për ta lidhur atë me të tjerët. Kafshët e kuptojnë këtë shumë shpejt, dhe më pas unë u dërgoj një imazh mendor, ose një fjali (të pavokalizuar), ose një emocion … cilido që të vijë. Nuk kërkohet asnjë përpjekje për të dërguar këto gjëra. Transferimi ndodh në nivel kuantik, që është gjuha universale e energjisë së pastër”.
Anna ofron seminare për mjetet e komunikimit përtej specieve, të cilat mund t’i gjeni në rrjetin e saj www.animalspirit.org.
Top Channel