Kryeministri anglez Rishi Sunak priti këtë të enjte në Downing Street homologun Edi Rama, në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në këtë godinë historike.
Gjatë bashkëbisedimit me Sunak, Rama shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për emigrimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Anglisë dhe goditjes së bandave kriminale, pjesë e të cilave janë dhe persona nga Shqipëria.
“Faleminderit kryeministër, jam shumë i nderuar. Sikurse e dini, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Jam falënderues për këtë. Është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona.
Sikurse ju e thatë, ne po bashkojmë forcat për të bërë gjithçka për të goditur rrjetet kriminale dhe të shmangim që njerëzit e pafajshëm të bien pre e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë, unë ju falënderoj sepse është një mundësi të theksojmë se ashtu si jo të gjithë britanikët nuk janë James Bond ose Mr. Bean, jo të gjithë shqiptarët janë si disa karaktere të jashtëligjshme.
Djali që vjen me gomone… nuk është vetëm ai shqiptari, por është pjesë e një kornize të gjerë. Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë për të ndërtuar, gatuar, mësuar, si infermierë, për t’u zhvilluar dhe për të kënduar për ju.
Ne duam t’ju sigurojmë se komuniteti shqiptar këtu ndihet jo vetëm i sigurt, por dhe i nderuar. Objektivi ynë i përbashkët është të fitojmë këtë betejë. Jemi të interesuar të forcojmë bashkëpunimin midis nesh. Jam vërtet serioz për të pasur marrëveshje jo thjesht në fjalë. Pres që të bëjmë më të mirën së bashku”.
Sunak vlerësoi progresin që është bërë në lidhje me ndëshkimin e emigrimit të jashtëligjshëm dhe u shpreh se përveç çështjes së emigrimit me homologun shqiptar do të diskutojë edhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike.
“Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim. Do ta diskutojmë më shumë edhe më vonë. Dua gjithashtu të diskutoj me ju për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike të cilat ju keni kaluar. Për të gjitha këto dhe më shumë jam i lumtur që do të diskutojmë së bashku, pro së pari kënaqësi që ju pres këtu”.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare tri ditore në Britani. Në fokus të diskutimeve me zyrtarët britanikë janë diskutimet për çështjet e emigrantëve të paligjshëm dhe rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Top Channel